Aktualitet Hakerat iranianë publikojnë “targat e makinave të shqiptarëve”

Hakerat iranianë publikojnë “targat e makinave të shqiptarëve”

Homeland Justice ka publikuar të dhënat e radhës të titulluar “Targat e makinave të shqiptarëve”.

Publikimi i radhës vjen në vazhdën e publikimeve të mëhershme të të dhënave konfidenciale të nxjerra nga sistemet e institucioneve shqiptare.

Hakrat iranianë pak ditë më parë kanë publikuar dhe të dhënat personale të kreut të qeverisë Edi Rama.

Po këtë muaj, vetëm pak javë më parë Homeland Justice ka publikuar të dhënat e radhës të titulluar “numrat e telefonit të shqiptarëve,”

Më herët hakerat kanë publikuar lista të tjera, të cilat kishin në shënjestër punonjës të Policisë së Shtetit.

Që prej vitit 2021 Shqipëria ka rënë pre e sulmeve kibernetike. Një sulm kibernetik u shënua më 15 korrik të këtij viti që bllokoi të gjitha faqet zyrtare shtetërore dhe platforma e shërbimeve online e-Albania.

Ndërkohë, më 14 shtator u sulmua sistemi TIMS në të gjitha pikat kufitare të vendit. Për këto sulme Shqipëria ka fajësuar Iranin dhe ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me këtë shtet.