Kryesore Vrasje, shpërthime me tritol, grabitje me dhunë: Si u kap grupi i...

Vrasje, shpërthime me tritol, grabitje me dhunë: Si u kap grupi i Laert Haxhiut (Dalin pamjet)

Policia e Shtetit ka publikuar pamjet e operacionit “Never Forget”, falë së cilit u zbardhën disa ngjarje të rënda kriminale.

Operacioni që nisi mbrëmjen e mërkurës dhe vijoi deri në orët e para të ditës së sotme, u finalizua me ekzekutimin e 12 urdhërarresteve. Katër persona të tjerë u shpallën në kërkim.

Gjashtë vrasje, pesë shpërthime me tritol, grabitje me dhunë dhe tri tentativa për kryerje vrasjesh janë zbardhur nga Policia e Shtetit falë të penduarit, Artan Tafani. 39-vjeçari është anëtar i grupit të Laert Haxhiut, kundërshtar i Aldo Bares dhe ka zbuluar 19 ngjarje të rënda kriminale.

Si u arrestua Tafani

Tafani u arrestua para një jave për vjedhjen e 30 mijë eurove në një pikë të këmbimit valutor në zonën e Astirit, krim i ndodhur para 3 muajsh. Pas identifikimit policia e ka mbajtur në mbikëqyrje me dyshimin se ai ishte i përfshirë në disa ngjarje të rënda kriminale.

Artan Tafani u zbulua pas gjetjes në një garazh së biçikletës që përdori për të larguar nga grabitja e pikës së këmbimit valutor. Në garazh u gjet dhe një makinë që rezultonte se ishte përdorur në një ngjarje të rëndë kriminale.

Ai u arrestua në një hotel në Lushnjë. Tafani ka pranuar të dëshmojë duke marrë statusin e të penduarit. 39-vjeçari ka treguar krimet ku ka marrë pjesë dhe të gjithë anëtarët e grupit që drejtohej nga Laert Haxhiu.

6 janë personat e vrarë

Alban Semaku, Çajup Selimi, Albi Bashaliu, Fridmand Xheferraj, Lulzim Qorri dhe Dikens Halili. Dy të fundit u ekzekutuan në Athinë. Operacioni i forcave speciale u përqendrua kryesisht në Elbasan dhe Lushnje ndërsa hetimet po ndiqen nga prokurori i Elbasanit, Kreshnik Ajazi.

Mes të arrestuarve është dhe e dashura e Laert Haxhiut, Klea Gjata. Organet e drejtësisë priten t’i dorëzojnë autoriteteve greke provat e reja kundër Laert Haxhiut, i cili u arrestua më 23 maj të këtij viti në Janinë. Gjykata greke vendosi të refuzojë ekstradimin e Laert Haxhiut drejt Shqipërisë. Ai ndodhet në burg dhe po gjykohet për akuzën e largimit nga vendi i aksidentit dhe atë prishjes së qetësisë publike.