Një avokat i vrarë në mes të ditës në një rrugë në Amsterdam, dhe në Holandë shpërthen debati për sa i përket sigurisë. Viktima, Derk Viersum mbronte një super dëshmitar kundër një bande kriminale të akuzuar për disa vrasje të ndodhura në periudhën 2015 – 2017.
Ai që qëlloi ishte një i ri i moshës 16 deri në 20 vjeç, i cili u largua në këmbë nga vendngjarja sipas zëdhënësit të policisë.
Çështja mbi të cilën po punonte avokati ishte e pasur me vrasje dhe dhunë dhe tregon se si tashmë krimi i organizuar holandez nuk ka më asgjë për të mësuar nga organizata të tjera kriminale më të njohura. Si dhe dëshmon se dhuna e bandave vendore synon marrjen e kontrollit të territorit dhe asgjësimin e konkurrencës.
Personi që mund të ketë urdhëruar vrasje, apo që gjithësesi përfiton nga kjo është Ridouan Tagi, qytetar holandez me origjinë nga Maroku, në krye të një bande prej 16 personash të akuzuar sidomos për trafik droge. Ai është në listën e personave më të kërkuar të Europol për të cilin është vënë një shpërblim prej 100 mijë eurosh.
Të mërkurën e kaluar u ekzekutua ish futbollisti Kelvin Mejnard. Këtë herë vrasësit u larguan nga skena e krimit me një motor. Nuk mendohet të ketë një lidhje mes dy vrasjeve, por polemikat janë të shumta për situatën e krijuar në rrugët e kryeqytetit holandez.