Merr fund arratia e autorit të vrasjes së Luan Hushit, ngjarje e ndodhur më 10 Gusht në fshatin Zgërdhesh të Krujës.
Mësohet se Klodjan Keqi, 40 vjeç, është arrestuar në kufi më Greqinë. Ai ka tentuar që të largohet në këmbë në mënyrë ilegale në drejtim të shtetit helen. Por është pikasur nga policia, e cila ka bërë të mundur arrestimin e tij.
“Shërbimet Operacionale të DVP Durrës dhe strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Krujë, pas 48 orë kërkimesh dhe ndjekjeje me metoda proaktive, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, për lokalizimin dhe kapjen e autorit të vrasjes me armë zjarri të 55-vjeçarit, bënë të mundur që mbrëmjen e djeshme të lokalizonin në Konispol të Sarandës, autorin e dyshuar të ngjarjes”, njoftoi policia.
Gjithashtu, shërbimet e policisë, së bashku me 40-vjeçarin, kapën dhe arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, edhe shtetasit L. K., 25 vjeç dhe L. Gj., 30 vjeç, të cilët po shoqëronin dhe ndihmonin autorin e dyshuar për t’u larguar nëpërmjet kufirit të gjelbër për në shtetin grek.
Keqi dyshohet se e vrau 55-vjeçarin Hushi për shkak të një sherri për prerjen e druve në pyll. Ai e qëlloi bashkëfshatarin me kallashnikov.
55-vjeçari mbeti i plagosur dhe u dërgua në spitalin e Traumës por ndërroi jetë aty si pasojë e plagëve të marra.
Pas ngjarjes Keqi u arratis. Ai kishte pasur edhe më parë konflikte me viktimën. Keqi nuk është një emër i panjohur për policinë pasi në vitin 2010 ai së bashkë me vëllain e tij janë arrestuar për tentativë vrasje.
Dhe në atë kohë objektiv ishte një bashkëfshatar i tyre ndërsa shkak i përplasjes u bë një konflikt për çështje pronësie.