Sokol Halili është vetëvrarë. Lajmi u bë i ditur nga Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla i cili në një postim në rrjetet sociale tha se 31-vjeçari u vetëvra gjatë kohës kur policia po negocionte për dorëzimin e tij.
“Pas një pune intensive të të gjitha njësiteve të Policisë së Kosovës është arritur që të lokalizohet vendndodhja e vrasësit Sokol Halili. Përkundër tentativës së zyrtarëve policor që të negociojnë dorëzimin, dorasi vret veten. Policia e Kosovës si dhe Inspektorati Policor i Kosovës do të vazhdojnë hetimet për zbulimin e të gjitha rrethanave të vrasjes së gruas shtatzënë dhe vetëvrasjes së dorasit”.
Sokol Halili ishte në kërkim që prej të mërkurës në mbrëmje, kur qëlloi për vdekje ish-bashkëshorten 35-vjeçare Hamide Magashi, para Klinikës së Gjinekologjisë në Prishtinë. E ndjera, e cila ishte në muajin e 9 të shtatzënisë, u përcoll këtë të premte për në banesën e fundit.
35-vjeçarja ishte ndarë nga Halili vetëm 3 muaj pas martesës, për shkak të dhunës së vazhdueshme që ai ushtronte. Një ditë më parë, Blerta Dalloshi Berisha, motra e viktimës rrëfeu se kërcënimet kishin vazhduar edhe pas ndarjes.
Madje ai kishte kërcënuar se do ta vriste atë, motrën e saj të vogël dhe dhëndrin me të cilët jetonte Hamidja. Ndonëse kishte urdhër-mbrojtje për 35-vjeçaren, ajo u vra në oborrin e QKUK-së.