Aktualitet Masat e marra nga policia për samitin e 6 dhjetorit: Rrugët që...

Masat e marra nga policia për samitin e 6 dhjetorit: Rrugët që do të bllokohen

Drejtori i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike, Rebani Jaupi, në një konferencë për shtyp bëri publike të gjitha masat e marra për samitin e BE-Ballkani Perëndimor që do të zhvillohet më 6 Dhjetor në Tiranë. Jaupi tha se për masat, policia ka bashkëpunuar me ekspertë të sigurisë së Bashkimit Europian. Ai u shpreh se perimetri do të fillojë aktivizimin në datën 5 Dhjetor në orën 14:00.

Rrugët që do të bllokohen janë: “Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga ura e Dajtit deri te Sheshi “Nënë Tereza”;

Bulevardi “Bajram Curri” nga kryqëzimi me rrugën e “Elbasanit” deri te kryqëzimi me rrugën “Ibrahim Rugova”;

Rruga “Papa Gjon Pali II” nga ETC-RTSH-Stadium;

Rruga “Dervish Hima”; Rruga “Asim Zeneli”;

Rruga “Themistokli Gërmenji”, pranë rrugës së Elbasanit dhe te kryqëzimi afër rrugës “Papa Gjon Pali II”;

Rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i Liceut deri te rruga e “Elbasanit”.

Rruga “Mustafa Matohiti”, pranë shkollës “Kosova”;

Rruga “Jul Variboba”, pranë postës, në rrugën e Elbasanit dhe rrugën “Papa Gjon Pali II”;

Rruga “Fatmir Haxhiu”, te ETC;

Rruga “Lekë Dukagjini”, nga sheshi “Frederik Shopen”, deri te stadiumi “Air Albania” dhe përreth stadiumit;

Rruga “Skerdilajd Llagami” dhe rruga “Faik Konica”.”

Ndalim të qarkullimit të automjeteve do të ketë edhe në aksin rrugor; “Rinas – Mbikalimi i Kasharit – Autostrada “Durrës – Tiranë” – Ish-sheshi “Shqiponja” – Unaza e Tiranës – Rrethrrotullimi i Saukut – Rrethrrotullimi pranë Akademisë së Policisë – Pallati i Brigadave – Rrethrrotullimi i qytetit “Studenti”, deri tek kryqëzimi me bulevardin “Bajram Curri”. Kufizime të qarkullimit të automjeteve të tonazhit të rëndë, do të ketë në aksin rrugor “Shkodër – Lezhë – Milot – Thumanë – Fushë Krujë – Vorë”.

“Perimetri do të fillojë aktivizimin nga ora 14:00 e datës 5 me kufizimin e perimetrit që thamë dhe cituam më lart. Ky perimetër do të mbahet deri në përfundimin e samitit dhe largimin e të gjitha personaliteteve nga vendi jonë. Në fakt ne po përqendrohemi për të bërë me dije të gjithë qytetarët që të marrin njoftimin për bllokimin e rrugëve që policia ka parashikuar në këtë plan masash në mënyrë që të lehtësohet lëvizja e qytetarëve, të eliminojmë lëvizjen jo të domosdoshme të qytetarëve, por natyrisht që ne do të vazhdojmë dhe orientojmë ata qytetarë që e kanë të domosdoshme lëvizjen në drejtime të tjera“, tha Jaupi.

Përfaqësuesit e policisë së Shtetit thanë se efektivët e policisë janë instruktuar që të mos i pengojnë qytetarët, por t’u japin zgjidhje për të kaluar në rrugët alternative.

“Siç e shpjegoi drejtori i departamentit nëpërmjet kësaj deklarate shpjegoi akset me kufizime. Qytetarët po njihen ku ka kufizime, me idenë që të kufizojmë lëvizjet e panevojshme. Lëvizjet e nevojshme do të zgjidhen përmes rrugëve alternative. Hyrja në Tiranë ka n.q.s po flasim për krahun e Durrësit, pasi aksi që do të jetë i bllokuar totalisht do të jetë Rinas-Qafë Kashar-Autostradës-Sauk deri në vendin e zhvillimit të aktiviteti, pra mund të vijnë në rrugën e vjetër, rrugën e Ndroqit. Do të përdoren edhe rrugët dytësore të autostradës. Janë instruktuar shërbimet që të mos pengojnë qytetarët, t’u japim zgjidhje duke i orientuar nëpërmjet rrugëve alternative”, tha Altin Qato.

Sa i përket punonjësve të institucioneve brenda perimetrit të sigurisë, Jaupi shtoi se duhet të kenë kartën e identitetit dhe badge-n.

“Çdo person që do të frekuentojë ambientet duhet të ketë dy dokumentet bashkëlidhur”, tha ai.

Ndërkohë shkolla “Kosova” dhe Liceu Artistik do të vijojnë normalisht mësimin.