Nga Irakli Metreveli*
Një gotë verë e bardhë pas një dite eksplorimi marsian?
Gjeorgjia, krenare për traditën e saj mijëravjeçare të verës, ka vendosur ta shtrijë atë përtej sipërfaqes së Tokës: ky vend i Kaukazit dëshiron të bëhet i pari që do të kultivojë vreshta në tokën e thatë të Marsit.
Nëse në pikëpamje të parë, ideja duket të jetë një fantazi shkencore, ajo synon të studiojë mundësinë e kulturave në këtë planet, ku amerikanët kanë premtuar të dërgojnë njerëz në dekadat e ardhshme, por gjithashtu të përshtatin bujqësinë në Tokë si pasojë e ngrohjes globale.
“Gjeorgjianët ishin prodhuesit e parë të verës në histori dhe tani shpresojmë të bëhemi pionierë në vreshtari në një tjetër planet”, thotë Nikoloz Doborjguinidze, bashkëthemelues i këtij projekti ambicioz.
Gjurmët e para të prodhimit të verës datojnë 8 000 vjet më parë në këtë vend të mbyllur në mes të maleve Kaukaz dhe Detit të Zi,me një klimë të butë dhe ideale për rritjen e verës.
Duke u bazuar në këtë traditë, një grup hulumtuesish dhe sipërmarrësish gjeorgjianë bashkuan forcat për t’iu përgjigjur thirrjes së NASA-s për të imagjinuar një prani njerëzore jetëgjatë në Mars.
Qëllimi: të prodhohen varietete serrë të vreshtave dhe rrushit që mund të kultivohen në planetin e kuq dhe të jepet një dimension ndërplanetar i industrisë gjeorgjiane të verës.
Projekti, i quajtur “IX Millenium”, udhëhiqet nga një konsorcium i përbërë nga Agjencia Gjeorgjiane e Kërkimit Hapësinor, Universiteti i Tregtisë dhe Teknologjisë i Tbilisit, Muzeu Kombëtar dhe një kompani e quajtur “Space Farms”.
NASA ka ambicie për të dërguar një mision me njerëz në planetin e katërt për nga distanca nga Dielli për 25 vitet e ardhshme, ndërsa miliarderi Elon Musk dhe kompania e tij SpaceX synojnë ta arrijnë atë me anijen kozmike “Starship”.
Rezultatet përfundimtare
Një nga shkencëtaret e përfshira në projektin gjeorgjian, biologia Marika Tarasashvili, po zhvillon një bakter që mund të kthejë tokën e thatë dhe pluhurin e Marsit në tokë pjellore dhe thotë se ajo tashmë ka arritur rezultate bindëse në kërkimin e saj.
Shkencëtarët kanë mbledhur baktere nga zonat e Gjeorgjisë me ekosisteme ekstreme duke përfshirë burimet e ujit të nxehtë dhe pretendojnë të kenë krijuar baktere që mund të përballojnë kushtet e vështira marsiane.
“Ideja afatgjate është që ta kthejnë tokën e pajetë marsiane në tokë ku kolonët e ardhshëm do të jenë në gjendje të rrisin bimët”, thotë Tarasashvili.
Hulumtuesit gjithashtu po testojnë lëkurën e 525 varieteteve të rrushit të gjetura në Gjeorgji për të përcaktuar se cila do të rezistojë më mirë nivelet e larta të rrezatimit ultravjollcë në sipërfaqen e Marsit.
Sipas rezultateve paraprake, do të ishte ”rkaciteli”, një nga varietetet më të vjetra të rrushit, që përdoret për të bërë verë të bardhë me shije të mollës jeshile.
Informacione jetësore
“Në të ardhmen, kolonët në Mars do të jenë në gjendje të rrisin bimët drejtpërdrejt në tokën e Marsit, por së pari duhet të krijojmë një model serrë plotësisht të kontrollueshëm dhe të qëndrueshëm”, thotë Toussia Garibachvili, themeluesi i “Space Farms” që merr pjesë në projekt.
“Space Farms” po zhvillon një laborator bujqësor për t’u bërë teknologjia ideale për bujqësinë marsiane të së ardhmes. E vendosur në një hotel në Tbilisi, kryeqyteti gjeorgjian, bimët rriten vertikalisht në shtresa dhe në një mjedis me temperaturë, dritë dhe lagështirë të kontrolluar.
Hapi i ardhshëm do të jetë testimi i varieteteve të rrushit të Gjeorgjisë në një mjedis që simulon atë të Marsit, brenda një laboratori në ndërtim e sipër në Universitetin e Teknologjisë dhe Tregtisë të Tbilisit.
“Bimët do t’i nënshtrohen temperaturave negative, niveleve të larta të rrezatimit, monoksidit të karbonit si dhe një presioni të lartë atmosferik”, thotë rektori i universitetit Nino Enoukidze.
“Përtej ëndrrës marsiane, përvojat tona sigurojnë një informacion jetësor sepse njerëzimi përballet me një mori sfidash mjedisore”, tha Enoukidze.
“Ne do të jemi në gjendje të identifikojmë dhe të kultivojmë kultura ushqimore që janë rezistente ndaj problemeve të shkaktuara nga ndryshimet klimatike”.
*AFP