Agresioni rus në Ukrainë jo vetëm po përballet me një rezistencë të paparashikuar nga elita ushtarake e Moskës, por edhe nga humbja e jetës të disa prej drejtuesve më të njohur të ushtrisë.
I fundit është koloneli Sergei Suckarev, komandanti i regjimentit të 331-të sulmues të parashutistëve, një prej grupeve të cilësuara si elitë në ushtrinë e Moskës. Suckarev në janar ishte protagonist i misionit rus në Kazakistan, që ndihmoi qeverinë e atij vendi në bllokimin e valës së protestave të dhunshme.
Vdekja e kolonelit u konfirmua nga vetë televizioni shtetëror rus, së bashku me atë të disa bashkëpunëtorëve të tij, që praktikisht kanë prerë kokën drejtuese të regjimentit elitar, që kishte spikatur në luftën në Çeçeni, Gjeorgji dhe në zonën e Donbasit.
Kjo nuk është humbja e parë e një ushtaraku rus i gradës së lartë në më pak se një muaj nga fillimi i konfliktit. Edhe pse bilanci i fundit zyrtar i Moskës është shpërndarë në ditët e para të konfliktit, disa nga emrat e spikatur kanë dalë në pah, veçanërisht nga burime ushtarake ukrainase.
Gjatë një operacioni special, kishte humbur jetën disa ditë më parë në Mariupol gjenerali major Oleg Mityaev, komandant i divizionit të 150-të të motorizuar.
Para tij, rreth 11 marsit, ishte radha e gjeneralit Andrei Kolesnikov i Armatës së 29-të, katër ditë pas vrasjes së bujshme të gjeneralit Vitaly Gerasimov, zëvendëskomandant i armatës së 41-të dhe i cilësuar si një nga strategët më të mëdhenj të ushtrisë ruse.
Opinioni ndërkombëtar i dha jehonë në veçanti vdekjes së gjeneralit të forcave speciale çeçene Magomed Tushaev, i vrarë në aeroportin e Hostomel.
Gjenerali i parë rus i vrarë në fushëbetejë ishte ndërkohë Andrei Sukhovetsky, i vrarë nga një snajper më 3 mars.
Përtej dekoratave dhe karrierës drejtuese, Moska ka humbur edhe disa nga ushtarët e saj më të mirë në terren. Si kolonelët Andrei Zakharov në afërsi të Kievit dhe Dmitry Safronov, kreu i forcave të sulmit detar, që ndërroi jetë në Chernihiv, kolonelët Denis Glebov dhe Konstantin Zizevsky të forcave ajrore. Edhe shërbimet sekrete ushtarake kanë pësuar humbje të rënda, si ajo e oficerit Sergey Vishnyakov në Mariupol, një nga drejtuesit e forcave speciale GRU, ndoshta i vrarë nga divizioni ukrainas Azov, i akuzuar nga Putin si neonazist, ndërkohë që pjesë e ekstremit të djathtë cilësohet edhe batalioni rus “Sparta”, lideri i të cilit, Vladimir Zhonga, mendohet të jetë vrarë.