Presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha të mërkurën se Serbia nuk do të njohë rezultatet e referendumeve të mbajtura në katër rajone të Ukrainës pjesërisht të pushtuara nga forcat ruse, pavarësisht lidhjeve të ngrohta të Beogradit me Moskën.
Autoritetet e mbështetura nga Rusia në të katër rajonet thonë se presin një shumicë të madhe në favor të bashkimit me Rusinë bazuar në numërimin e votave në referendume, të cilat Kievi dhe Perëndimi i kanë denoncuar si votime të paligjshme false të mbajtura nën kërcënimin e armëve.
Presidenti rus Vladimir Putin pritet të shpallë aneksimin e katër rajoneve; Donetsk, Luhansk, Kherson dhe Zaporizhia, në një fjalim të premten.
“Serbia … nuk do t’i njohë (referendumet) pasi i përmbahet ligjit ndërkombëtar, Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe rezolutave të OKB-së”, tha presidenti serb Vuçiç gazetarëve të mërkurën.
Kremlini mbështet Beogradin në kundërshtimin e tij të vazhdueshëm ndaj njohjes së pavarësisë së Kosovës, që u shpall në vitin 2008 me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore perëndimore.
“Ne po mbrojmë tërësinë tonë tokësore dhe është në interesin tonë më të mirë të mbrojmë tërësinë tokësore të vendeve të tjera të njohura ndërkombëtarisht”, tha presidenti serb, duke theksuar se vendi i tij ndodhet nën trysni për shkak të qëndrimit ndaj Moskës.
Serbia, një kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, varet nga Rusia për furnizimet e saj me gaz natyror dhe ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Moskës për shkak të agresionit të saj në Ukrainë.
Beogradi u përball me kritika nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian pasi të premten e kaluar nënshkroi në Nju Jork një marrëveshje me Rusinë për “konsultime” të ndërsjella mbi çështjet e politikës së jashtme.