Presidenti i Serbisë Aleksander Vuçiç ka dhënë së fundmi disa shpjegime të vetat mbi atë që po ndodh mes Serbisë dhe Kosovës.
Gjatë një takimi partiak në Beograd, Vuçiç paralajmëroi se do të ketë kërkesa të forta ndaj Serbisë që të njohë Kosovën “pa asgjë në këmbim për Serbinë”.
Siç tha ai, para se të shkojë në samitin e Berlinit, atje pra ku e pret dyshja Merkel –Macron, siç përflitet për t’i dhënë një drejtim përfundimtar zgjidhjes së raporteve Kosovë-Serbi, ai do të zhvillojë bisedime me presidentin kinez dhe atë rus në Pekin. Në Berlin, shtoi Vuçiç, e pret një takim shumë i vështirë me udhëheqësit e Francës dhe Gjermanisë.
“Që ta dini, unë nuk pres asgjë të mirë. E vetmja gjë që pres është fillimi i një kërkese për një format të ri, ku qëllimi duhet të jetë njohja e pavarësisë dhe një Serbi që nuk merr asgjë”, tha Vuçiç, duke shtuar se atij i është kërkuar që të “hyjë në bisedime pa u hequr taksat nga shqiptarët”.
“Por unë nuk do të pranoj të vazhdoj çfarëdo bisedë pa heqjen e taksës, pa marrë parasysh çfarë presioni do kem”, shtoi ai.
Presidenti serb nuk u ka ikur elementëve të fushatës elektorale, kur ka shtuar se nuk është çudi që nëse Serbia refuzon, të vihet në lëvizje ideja e një gjykate special për serbët “që do t’ju akuzojë për të gjitha krimet seksuale në Ballkan”.
Vuçiç e ka cilësuar lëvizjen opozitare si të sponsorizuar nga jashtë me synim dobësimin e shtetit serb në negociatat e vështira me Prishtinën, është marrë madje edhe me shtypin shqiptar që sipas tij pa ndalim kërkon largimin e tij dhe entuziazmohet për protestat në Serbi dhe në fund ka bërë edhe një deklarim: “Të gjitha ata që përdoren për të më marrë në telefon për të bërë kërcënime, nëse serbët vetëm përpiqen të mbrojnë veten u them: mos më telefononi. Nuk jam i disponueshëm”.
Lidhur me taksat e vendosura nga Kosova, ai ka bërë të ditur se nëse ato nuk hiqen deri në datë 6 maj, atëherë Serbia do të konsiderojë kundërmasa.