Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç deklaroi se as kryeministri shqiptar, Edi Rama dhe as ai i Kosovës, Albin Kurti nuk kanë të drejtë të bëjnë një propozim për statutin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
Gjatë një interviste për Reuters, lideri serb ripërsëriti se të drejtën e propozimit të këtij statuti e ka vetëm ekipit menaxhues, për të cilin është rënë dakord më herët, i përbërë nga serbët.
“Kur dëgjoni që Kurti ka propozimin e tij për Asociacionin e Komunave Serbe, se Rama ka propozimin e tij për Asociacionin e Komunave Serbe, që disa OJQ kanë propozimin e tyre për Asociacionin e komunave serbe, asnjëri prej tyre nuk ka të drejtë të ketë propozime. Ai propozim duhet të bëhet nga serbët dhe ekipi menaxhues i përbërë nga serbët”, tha Vuçiç.
Vuçiç, ndërkohë i kërkoi Kosovës që të mos organizojë zgjedhje të reja për kryetarët e komunave në veri, derisa serbët etnikë të kenë më shumë autonomi.
“Të gjithë serbët në veri mendojnë se Serbia është vendi i tyre, jo Kosova. Kjo është normale, por qeveria e Prishtinës refuzon ta pranojë këtë realitet”, tha presidenti serb në një intervistë për Reuters.
“Çështja është që dikush duhet të zbresë në tokë, të kuptojë realitetin, të lejojë zgjedhjet dhe nuk bëhet fjalë që të ketë zgjedhje në të cilat dikush tjetër do të ndërhyjë, në të cilat vendoset në nivel lokal se kush do të fitojë. Megjithatë, a do ta pranojnë serbët këtë dhe me çfarë kushtesh? Sepse të mos harrojmë se ende nuk e kemi Asociacionin e Komunave Serbe, nuk kemi ende tërheqjen e forcave speciale dhe kryetarët e paligjshëm ende nuk janë larguar”, shtoi presidenti serb.
Dhuna u ndez në veri të Kosovës javën e kaluar pasi kryetarët e zgjedhur shqiptarë tentuan të hynin në zyrat e komunave me shumicë serbe pas zgjedhjeve lokale të prillit, ku pjesëmarrja ishte vetëm 3.5%.
Gjatë trazirave protestuesit serbë u përleshën me paqeruajtësit e NATO-s, duke lënë dhjetëra të plagosur nga të dyja palët. Serbia më pas vendosi forcat e saj të armatosura në gatishmërinë më të lartë luftarake dhe NATO dërgoi përforcime në misionin e saj në Kosovë.
Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, mbështetësit më të fortë të Kosovës, i kanë kërkuar Prishtinës që të organizojë zgjedhje të reja për të qetësuar tensionet dhe Serbia të heqë gatishmërinë e saj luftarake dhe të largojë trupat nga kufiri me Kosovën.
Por Vuçiç tha se autoritetet në Kosovë do të duhet të bëjnë disa lëshime për të siguruar pjesëmarrjen serbe në një votim të ri.
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani tha më herët se vendi mund të zhvillojë zgjedhje të reja në komunat në fjalë nëse 20% e votuesve nënshkruajnë një peticion duke i kërkuar ato. Ajo akuzoi gjithashtu Serbinë për ndërhyrje.