Bota Vuçiç mohon deklaratat për luftë: Shpreha dëshirën që të krijojmë paqe dhe...

Vuçiç mohon deklaratat për luftë: Shpreha dëshirën që të krijojmë paqe dhe kompromis

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, ka reaguar pas tensioneve që kanë ngritur në Prishtinë dhe Tiranë deklaratat e tij në një konferencë për shtyp lidhur me konfliktin e ngrirë duke marrë shembull Azerbajxhanin dhe Armeninë.

Vuçiç kishte përsëritur deklaratën e tij të para një muaji që konfliktet e ngrira mund të eskalojnë, duke shtuar se Serbia dëshiron zgjidhje të kompromisit me Kosovën.

“Ata në Kosovë kanë problemet e tyre dhe arsyet përse shpikin. Deklarata ime ka qenë e qartë, kam folur që të shmangim një politikë të konflikteve të ngrira dhe kam thënë që edhe konflikti në Karabah ka qenë i ngrirë dhe është shkrirë. Konflikti i ngrirë do të nënkuptonte se kushdo në të ardhmen mund të na sjellë deri tek një katastrofë dhe konflikt. E këtu unë kam shprehur dëshirën që të krijojmë paqe dhe të bëjmë zgjidhje të kompromisit. Për të gjithë kjo ka qenë e qartë. Madje në Serbi më kanë akuzuar për politikë tradhtie. Ata kanë arsyet e tyre, për mua është me rëndësi të ruajmë paqen pasi kjo është dhe do të ngelet politika e Serbisë”. 

Vuçiç kishte dalë në konferencë për shtyp për të folur rreth situatës me COVID, mini-shengenit ballkanik dhe dialogut me Kosovën. Por, ai ka mohuar tani të ketë bërë thirrje për luftë.