Presidenti serb Vuçiç paralajmëroi se bashkësia ndërkombëtare, brenda këtij viti, do i ofronte një propozim për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, por të cilën ai do e kishte të vështirë ta pranonte. Fjala është për njohjen, e cila mund t’i vijë dhe si ultimatum.
“Do të ofrojnë një zgjidhje të cilën ne nuk do të jemi në gjendje ta pranojmë. Jam i bindur për këtë, dhe kjo do të ndodhë këtë vit. Do të përpiqen të na japin garanci për BE, por me kusht që ta njohim Kosovën, dhe do të na ofrojë status të veçantë për serbët në disa zona. Dhe çfarë atëherë? Unë do ta pyes popullin. Para tre vjetësh e pyeta, dhe askush nuk e deshi këtë”, tha Vuçiç në një intervistë për një media beogradase.
Ai kujtoi se kurrë nuk kishte pranuar të merrte ultimatume, e se nga ana tjetër do shikonte interesat e serbëve.
“Është mjaft e sigurt që unë kurrë nuk kam pranuar ultimatume, pasi është e sigurt që unë do të përpiqem të gjej zgjidhjen më të mirë për popullin serb, por gjithashtu të përpiqem të mos rrezikoj paqen dhe stabilitetin, dhe të mos e çoj Serbinë në luftë.
Jam i bindur që deri në fund të vitit do të marrim diçka që nuk do të mund ta pranojmë, por as nuk do të refuzojmë. Unë jam pothuajse i bindur për këtë”, theksoi Vuçiç.