Kosova Vuçiç: Rama flet për krijimin e Shqipërisë së Madhe

Vuçiç: Rama flet për krijimin e Shqipërisë së Madhe

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç kritikon kryeministrin Rama duke thënë në një emision televiziv në Beograd, se ai flet ekskluzivisht për krijimin e Shqipërisë së Madhe. Madje pretendon se në Francë ekziston një ndjenjë anti-shqiptare.

“Ne duhet të forcojmë interesin tonë në rajon, por pyetja që lind është se sa të theksuara janë forcat kundërshtuese të zgjerimit, pasi Rama flet ekskluzivisht rreth Shqipërisë së Madhe. Në Francë ka një ndjenjë të fuqishme anti-shqiptare dhe për këtë, Shkupi po tenton të tërheqë Maqedoninë e Veriut nga paketa shqiptare, pasi BE nuk do të hapë negociatat”, tha Vuçiç.

Ai foli edhe për dialogun me Kosovën dhe nënvizoi se tani mundësitë për marrëveshje me shqiptarët janë shumë më të vogla se sa kanë qenë më përpara. Ai akuzoi Bashkimin Europian se e lejoi Prishtinën të vendoste taksën dhe të aprovonte platformën për dialogun.

“I jam lutur Federicha Mogherinit që mos t’i lejonte ata të aprovonin këtë platformë, pasi ne morën draftin e saj 6 muaj më përpara. i paralajmërova ata dhe më thanë se nuk do të aprovohej. Por Prishtina e miratoi gjithsesi”, u shpreh ai.

Ndër të tjera, Presidenti serb mohoi se ekziston një plan prej 17 pikësh për ndryshimin e kufijve me Kosovën.

Gjithashtu tha se askush nuk e dëshiron një marrëveshje bazuar në modelin e dy Gjermanive. “Shqiptarët nuk duan të dëgjojnë për këtë, ata dyshojnë se Rusia do ta pranonte këtë në OKB, edhe nëse ne e pranojmë atë”.