Kryedemokrati Sali Berisha ka mbajtur këtë të kremte konferencën e përjavshme me gazetarët. Përpos 14 Majit, ai u ndal dhe tek 13 Qershori, datë që sipas tij shënon lidhjen mes dy ngjarjeve.
Berisha thotë se anulimi i mbledhjes së dy qeverive Kosovë-Shqipëri është e lidhur me rrëmbimin e 3 efektivëve të Policisë së Kosovës nga forcat serbe.
“Do kthehem te 14 Qershori, Edi Rama ose natën e 13 Qershorit anuloi takimin e parashikuar në kuadër të lidhjes së Prizrenit mbledhjen e përbahkët me qeverinë e Kosovës në Gjakovë. Më 14 pasdite Putini i vogël rrëmben me një praktikë që mund ta shihni vetëm në kufirin e Koresë së Veriut me të Jugut, të rrëmbejë njerëz me uniformë në mënyrën më kriminale dhe banditeske dhe siç e patë ju Rama tha unë hesht se po pres. A ishin të lidhura këto dy veprime kundër Kosovës njëra me tjetrën, rastësia flet shumë.”
Ai tha se nuk ka fakte për këtë konstatim, por shtoi se këto dy ngjarje në të njëjtën ditë nuk mund të jenë thjesht rastësi.
“Unë fakte nuk kam për lidhjen konkrete mes ngjarjeve, por duke patur parasysh se Rama është publikisht i njohur si argat i Vuçiç. Në të njëjtën ditë që anulohet mbledhja, Vuçiç rrëmben policët në territorin Kosovës dhe as të nesërmen, jo atë ditë, Rama nuk shqipëron një fjalë as për rrëmbim as për të dënuar aktin. Mos u çuditni ju kur të vrapojë në Beograd me “Ismailin” dhe t’i sjellë ata në Tiranë po në kuadër të këtij skenari sepse i duhet të lehtësojë veten para procesit “Mc Gonigal”. Gjithçka po e bën për mbijetësën e tij, por nuk ka forcë në botë që mund ta shpëtojë. Ju mund të thoni se si tepër po i lidh këto gjëra, nuk i kam lidh unë po pse të dyja ndodhën në një ditë.
Është skenar i përkeqësimit të krizës, Rama dhe Vuçiçi po e acarojnë atë. Po koordinojnë gjithnjë në projektin e tyre të mëparshëm, ka 3 ditë rresht që serbo-madhi Vuçiç, një njeri që e ka vendin në Hagë, flet për luftë. Ku mund të dojë një vend pa ushtri luftë, një vend që ka forcë simbolike, ai do luftë me vëllain e tij në Tiranë sepse duan ndarje të Kosovës ndaj dhe u bëj thirrje ndërkombëtarëve të jenë të vëmendshëm ndaj këtyre autokratëve që kanë plane ogur-zeza për rajonin. Plani i tyre është ndarja e Kosovës, këto janë shqetësime shumë serioze”, deklaroi Berisha.