Bota Lihen në paraburgim tre policët kosovarë të rrëmbyer nga forcat speciale serbe

Lihen në paraburgim tre policët kosovarë të rrëmbyer nga forcat speciale serbe

Tre policëve të Kosovës, të arrestuar nga forcat serbe më 14 qershor, iu caktua këtë të premte masa e paraburgimit. REL raporton se gjyqtari i procedurës paraprake në Gjykatën e Lartë në Kralevë e mori vendimin pas kërkesës së prokurorit publik të këtij qyteti.

Megjithatë ende është e paqartë se çfarë akuze rëndon ndaj policëve. Vendimi erdhi në limite të afatit 48 orësh pas ndalimit policor. Autoritetet e Prishtinës thonë se Rifat Zeka, Beqir Sefi dhe Mustafa Shemi u rrëmbyen nga forcat serbe brenda territorit të Kosovës.

Ndërkohë situata në veri të Kosovës vijon të jetë problematike. Një grup protestuesish serbë kaluan kordonin e KFOR dhe u vendosën para godinës së komunës në Leposaviç. Protesta ndodhi kur ministri Krasniqi hyri për të takuar kryetarin e komunës, Liburn Aliu.

Ndërkohë 4 shpërthime kanë ndodhur gjatë natës në afërsi të stacioneve policore në Zveçan dhe në Mitrovicën e Veriut. Policia thotë se dyshohet se ato u hodhën nga një automjet, i cili ishte në lëvizje dhe është larguar nga vendi i ngjarjes.

Ndërsa në pikën kufitare në Jarinjë janë krijuar radhë me kamionët që kanë ndaluar dhe presin, pas bllokadës që i ka vendosur qeveria e Kosovës mallrave serbe.