Pas vendimit të Gjykatës së Apelit që i dha vulën e Partisë Demokratike Sali Berishës, Enkelejd Alibeaj ka zyrtarizuar largimin nga grupi parlamentar i PD-së.
Sipas tij, kjo zgjedhje e tij është në shenjë respekti ndaj vendimit të gjykatës, duke deklaruar se nuk i bashkohet grupit parlamentar të PD-së të drejtuar nga Sali Berisha.
“Unë jam demokrat sepse besoj te vlerat për të cilat dikur lindi si PD-ja. Ama nëse për të qenë “demokrat” kushti është të jesh “berishist” dhe me Sali Berishën, nuk jam i tillë. E duke pretenduar të mos jem pjesë e modelit të vjetër në politikë, duke u përpjekur të jem koherent me qëndrimet e deritanishme deklaroj se nuk i bashkohem grupit parlamentar të PD-së të drejtuar nga Sali Berisha. Kjo është zgjedhja ime në shenjë respekti ndaj vendimit të gjykatës, qëndrimit tim të deritanishëm, atyre që e mendojnë ndryshe nga unë, dhe ndjesisë së trishtë se një PD e tillë, kështu as nuk i shërben shqiptarëve që duan ndryshimin e as ata nuk të japin dot besimin”.
Në argumentimin e tij, Alibeaj theksoi se “Apeli vendosi status quo-n e kësaj partie, që zyrtarisht i përket Sali Berishës dhe mënyrës së tij të drejtimit dhe të bërit politikë”.
“Vendimi i Gjykatës së Apelit disa ditë më parë pra, shenjoi dhe status quo-n e kësaj partie. Parti që zyrtarisht i përket Sali Berishës dhe mënyrës së tij të drejtimit dhe të bërit politikë. Personalisht, jam ndarë me këtë mënyrë shumë vite më parë dhe në çdo kohë jam përpjekur të dëshmoj se i përkas një soji tjetër politik. Nuk besoj te premtimi i Sali Berishës se PD-ja e tij do të ketë demokraci të brendshme dhe respekt për mendimin ndryshe. Mbi të gjitha nuk gjykoj që ajo mund të jetë oferta politike që meritojnë shqiptarët. Si formë dhe mënyrë e të bërit politikë është model i dalë jashtë funksionit të betejës me Ramën. Dy modele të ngjashme, e simbiotike, nuk mund të përballen duke sjellë rezultate ndryshe nga ai që kemi”.
Sipas tij, janë një sërë arsyesh pse Apeli vendosi në favor të Berishës, pa përjashtuar “interesat ekonomike që mbajnë në këmbë aleancën e vjetër Berisha-Rama”.
“Rruga gjyqësore erdhi dhe mbeti thjesht një instrument i pakërkuar nga unë, por i detyrueshëm për t’u ndjekur. Tashmë vendimi i gjykatës e vulosi pa më dhënë të drejtë. Arsyet përse ndodhi kështu, janë të dukshme dhe të padukshme. Por nuk mund të fshihen interesat ekonomike që mbajnë në këmbë aleancën e vjetër Berisha-Rama. Sikundër dhe komoditeti i të qenurit dy pjesë të vjetra dhe të konsumuara të politikës që nuk mund të mbijetojnë pa njëra-tjetrën. Jo rastësisht kjo rrymë pati mbështetjen e qeverisë dhe të një pjese të mirë të medias”.