Kosova VV: Thaçi le të mendojë datën e zgjedhjeve, nuk dërgojmë emër për...

VV: Thaçi le të mendojë datën e zgjedhjeve, nuk dërgojmë emër për Kryeministër

Presidenti Hashim Thaçi ka deklaruar se prej të hënës do t’i nisë bisedimet për partitë për themelimin e Qeverisë së re. Tha se kërkon një Qeveri me bazë të gjerë.

Por lidhur me këtë, Lëvizja Vetëvendosje i ka kërkuar Presidentit Thaçi që të mendojë datën e zgjedhjeve në vend, se të kërkojë emra për kryeministër të ri. Nga Zyra për Media e VV-së kanë thënë se posa të përfundojë pandemia e Covid-19, Kosova duhet të hyjë në afatin kushtetues dhe të shpallen zgjedhjet e reja.

VV i ka dërguar porosi Presidentit Hashim Thaçi të mos mendojë opsion tjetër përpos zgjedhjeve të reja pas përfundimit të pandemisë botërore me koronavirus që ka prekur edhe Kosovën

“Tash për tash të gjithë ne së bashku me Qeverinë jemi të fokusuar rreth Pandemisë së Coronavirusit. Sapo të kalojmë këtë pandemi menjeherë duhet të shkojmë ne zgjedhje të reja. Kësisoj Presidenti Thaçi nuk ka çka kërkon emra për kryeministër të ri, por le të mendoj rreth datës së zgjedhjeve porsa të mbaroj çështja urgjente e Covid19”, kanë deklaruar nga VV.

Sipas Kushtetutës, Shefi i Shtetit së pari duhet të kërkojë nga partia fituese e zgjedhjeve të certifikuara emrin e mandatarit.

Por nga Lëvizja Vetëvendosje po shprehen kundër dërgimit të emrit të ri për kryeministër.

Qeveria e Kosovës u rrëzua me votat e më shumë se 2/3 e deputetëve pasi LDK organizoi mocion mosbesimi.