Trajneri i Arsenalit, Arsene Wenger, ka thënë se ai do të trajnojë edhe sezonin e ardhshëm, pavarësisht se nuk ka konfirmuar nëse do të jetë në “Emirates”.
67-vjeçari francez ka qenë në krye të “Gunners” për 21 vjet, me kontratën e tij që përfundon në fund të sezonit aktual dhe asnjë marrëveshje të re në fuqi për të garantuar të ardhmen e tij me klubin e Londrës.
Spekulimet mbi fatin e tij janë rritur në javët e fundit, teksa skuadra e tij ka humbur ritmin e kryesuesve të Premier League.
Por, pas humbjes 5-1 në Ligën e Kampionëve, ndaj Bayern Munich, në mesjavë, i ka përshkallëzuar më tej këto zëra për largim.
Francezi këmbënguli të premten se nuk do të dalë në pension, por ai nuk ka konfirmuar nëse do të mbetet në postin e tij aktual: “Çfarëdo që të ndodhë, unë do të trajnoj sezonin e ardhshëm, këtu apo diku tjetër. Është e rëndësishme për klubin të marrë vendimin e duhur për të ardhmen. Unë kam punuar këtu për 20 vjetm me përkujdesjen më të madhe. Kam pasur shumë mundësi për të shkuar diku tjetër, por më ka interesuar ky klub dhe e ardhmja e tij. Është e rëndësishme që Arsenali të jetë në duar të sigurta.”
Arsene Wenger ka fituar tre tituj në Premier League me Arsenalin, por paaftësia e tij për të shtuar trofetë e brendshëm që nga viti 2003-2004, shpesh e ka vënë pozicionin e tij në pikëpyetje. Tani për tani, 10 pikë larg Chelsea, me vetëm 13 ndeshje të mbetura në kampionat, duket se ngulmimi i klubit për titullin e brendshëm do të vazhdojë. Trajneri francez i “Topçinjve” nuk pranoi se është trazuar nga spekulimet, megjithatë: “Unë jam mësuar me to, kam qenë këtu për 20 vjet. Në jetë, është e rëndësishme të bësh atë që është e drejtë. Unë jam duke bërë një punë publike dhe duhet të pranoj se çdokush do të ketë një opinion. E ardhmja ime nuk është e rëndësishme, e Arsenalit po. Ne duhet të fokusohemi në problemet reale, mënyrën se si të luajmë futboll dhe jo mbi të ardhmen time. Natyrisht, e urrej humbjen. Unë kam një përgjegjësi të madhe në këtë klub. Është e vështirë për të pësuar humbje 5-1, si ndaj Bayern Munich, por kam forcën dhe përvojën për të reaguar.”