Kryesore Xhaçka takohet me homologen kanadeze në Tiranë: Do të forcojmë raportet Kanada-Shqipëri

Xhaçka takohet me homologen kanadeze në Tiranë: Do të forcojmë raportet Kanada-Shqipëri

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme në Shqipëri, Olta Xhaçka është takuar me homologen kanadeze Melanie Joly ku është theksuar nevoja për të forcuar koordinimin dypalësh.

Në një deklaratë për mediat, Xhaçka tha se ministret diskutuan për thellimin e marrëdhënieve mes dy vendeve në fusha të ndryshme.

“Diskutuam për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe forcimin e mëtejshëm të tyre në fusha me interes të përbashkët. Vizita e Ministres kanadeze është shprehje e vullnetit për ta zhvilluar në mënyrë intensive bashkëpunimin tonë. 35 vite marrëdhënie diplomatike, relatat Shqipëri-Kanada kanë njohur rritje të vazhdueshme. Roli dhe kontributi i Kanadasë në arenën ndërkombëtare është rritur dukshëm”, tha Xhaçka.

Ajo theksoi se homologia Joly ka ndikuar në intensifikimin e këtyre marrëdhënieve duke mundësuar investime kanadeze në Shqipëri.

“Ministrja Joly ka kontribut të dorës së parë në intensifikimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Diskutuam për mundësitë për të rritur praninë dhe investimet kanadeze në Shqipëri, vlerësova rëndësinë e riaktivizimit të Fondit Kanadez për Iniciativat Lokale për të mbështetur programe të ndryshme. Pjesë e diskutimeve edhe Marrëveshja e Sigurimeve Shoqërore ndërmjet Shqipërisë dhe Kanadasë. Shprehëm mbështetjen tonë të palëkundur për sovranitetin e Ukrainës si dhe konstatuam nevojën për të forcuar koordinimin tonë dypalësh, me vendet e njëmendta dhe partnerët tanë në NATO”, shton më tej ministrja.

Së fundmi, Xhaçka deklaroi se qeveria do përkushtohet maksimalisht për forcimin e raporteve me Kanadanë.

Ndërkohë në fjalën e saj ministrja Joly i uroi fat të mbarë Shqipërisë në drejtimin e Këshillit të Siguirimit dhe ritheksoi marrëdhëniet e forta Shqipëri-Kanada. Joly u shpreh se do të nënshkruhet një marrëveshje për mbrojtjen e investimeve kanadeze në vendin tonë.