Koha po mbaron për Xhakartën, një nga qytetet që po mbytet më shpejt në botë.
Ekspertët ambientalistë paralajmërojnë se një e treta e qytetit do të jetë nën ujë deri në 2050 nëse ritmet aktuale nuk ndryshojnë.
Dekada të tëra shfrytëzim i pakontrolluar dhe i tepruar i rezervave nëntokësore, rritja e nivelit të deteve dhe kushtet e luhatshme të motit bëjnë që pjesë të mëdha të qytetit të zhduken nën ujë.
Masat e marra kanë pasur pak rezultate ndaj autoritetet po ndërmarrin një hap drastik; vendit i duhet një kryeqytet tjetër. Dhe se kush do të jetë ai, do të njoftohet së shpejti.
Zhvendosja e zemrës administrative dhe politike të vendit mund të jetë një akt që ka si objektiv final mbrojtjen e kombit, por kjo tingëllon si një vdekje e pastër për Xhakartën, ku 10 milionë banorët e qytetit, nuk do të kenë tjetër alternativë.
I ndërtuar në një zonë të prekur shpesh nga tërmetet, afër plot 13 lumenjve, themelet e qytetit janë cënuar edhe nga zhvillimi i pakontrolluar, trafiku i rënduar dhe planifikimi i varfër urban. Qyteti, sipas përllogaritjeve, po zhytet me 25 centimetra në vit në disa zona, dyfishi i mesatares globale për qytetet e mëdha bregdetare. Sot, disa pjesë të tij, janë katër metra nën det, dhe panorama e qytetit ka ndryshuar në mënyrë të pakthyeshme.
Xhakarta sidoqoftë nuk është e vetmja qendër urbane që po mbytet. Qytete që nga Venecia e deri tek Shangai, nga Nju Orlinsi e deri në Bangkok, janë po ashtu në rrezik.