Ish-kryeministri Sali Berisha, gjatë fjalës së tij në Kuvend u ndal tek hapja e xhamisë së Namazgjasë në Tiranë. Berisha tha se Rama jo vetëm që nuk hapi xhaminë, por sipas tij shefi qeverisë i ka bërë presion kreut të KMSH-së për të dhënë dorëheqjen sepse këtë e ka kërkuar Presidenti i Turqisë, Erdogan.
Berisha tha se dënon qëndrimin e Ramës, ndërsa u shpreh se kur të vijë PD-ja në pushtet do të paguajë për paratë që janë harxhuar për ndërtimin e kësaj xhamie. Ai u shpreh se për demokratët “autonomia e komuniteteve fetare është më e çmuar se shumë e shumë ndërtesa kulti”.
“Besimtarëve myslimanë shqiptarë Edi Rama ua prishi gëzimin e Bajramit. Nuk e hapi xhaminë. Jo vetëm kaq, por informohem se ka dërguar njerëz për t’i bërë presion kryetarit të KMSH për të dhënë dorëheqjen sepse sipas tij këtë kërkon presidenti i Turqisë, Erdogan. Jam këtu për të dënuar me forcën më të madhe këto qëndrime të Edi Ramës. Asnjë ndërhyrje në autonominë e komuniteteve fetare nuk lejohet. Sikundër i bëj thirrje Presidentit të Turqisë të sjellë çdo dosje për çdo individ, por që të fajësojmë ne njerëz, të fajësojmë ne qytetarë fetarë apo zyrtarë pse janë shkolluar me fonde të Gulenit kur ai ka qenë aleati juaj më i ngushtë kjo nuk mund të ndodhë. Kjo me gjithë respektin që kam për vendin tuaj dhe ju zoti Presidenti nuk mund të ndodhë dhe nuk është absolutisht e drejtë. Është e paimagjinueshme që të ndërhyhet se kush duhet të jetë kryetari i Komunitetit Mysliman. Jam këtu me mesazhin e qartë, xhaminë të falenderojmë për ndërtimin, por nesër në pushtet, PD do të paguajë çdo qindarkë të harxhuar për ndërtimin e saj. Për ne autonomia e komuniteteve fetare është më e çmuar se shumë e shumë ndërtesa kulti. Dënoj qëndrimin e Edi Ramës”, tha Berisha.
Berisha u ndal edhe tek rritja e çmimit të ushqimeve. Ai kërkoi dorëheqjen e anëtarëve të bordeve dhe tha se ato përligjin vjedhjen që u bëhet qytetarëve.
“Narkoqeveria rri duarkryq. Mjaftohet me propagandë dhe deklarata. Ka krijuar bordet të cilat në fakt janë shushunja po kaq të tmerrshme sa monopolet. Iu bëj thirrje anëtarëve të bordeve të japin urgjentisht dorëheqjen, të mos përligjin këtë vjedhje të tmerrshme që u bëhet nga monopolistët e qeverisë qytetarëve shqiptarë. Inflacioni ka një përgjigje në të gjithë botë, indeksimin. Me bote vetëm përligj spekulimin, spekulimin, spekulimin. Të marrë fund kjo praktikë e shushunjave. Bordet i kanë blerë me lecka monopolet dhe qytetarët varfërohen, qeveritarët pasurohen. Bordet e tyre pasurohen, oligarkët pasurohen”, tha Berisha.