Ashtu si Djalli, Xhindet kanë hyrë në demonologjinë shqiptare nga sfera e demonologjisë së feve monoteiste, konkretisht nga demonologjia islame.
Xhindet e bestytnisë popullore shqiptare gjenden natën gjithkund, jashtë në kopsht, apo në nevojtore. Vendet ku u pëlqen të mblidhen janë cipat e rrëkeve, aty ku derdhen cikat a gjerbat e shiut nga pullazi. Ndaj njeriu nuk duhet të ecë apo të derdhë ujët e hollë natën pa thënë destur dhe bismillah. Për po këtë arsye bënin kujdes edhe gratë që të mos hidhnin ujët e nxehtë me të cilin kishin larë kënanë e nuses, se po të digjnin ndonjë xhind, nusja do të shkallohej.
Në krahina të ndryshme besohet se zbresin netëve nëpër përrenj, duke u rënë daulleve dhe duke bërë potere të madhe.
Në Korçë nuk e lënë ujin e të vdekurit vetë në zjarr, se thonë se e pinë Xhindët.
Kurse në Tiranë, kur e fusin foshnjën në djep për herë të parë, nën shtroja i shtinë një gozhdë dhe një qese përplot me fara liri, që kur të vinë Xhindet për të marrë foshnjën, të harrohen duke numëruar kokrrat e melit e të mos i bëjnë keq fëmijës.
Në Labëri, lehonën nuk e lënë të dalë jashtë për dyzet ditë: thonë se po të dalë përpara kësaj kohe do të shuplaket, sepse do t’i shkelë e kështu të sëmuret e të dalë mendsh.
Kur janë duke kënduar, nuk duhet të thuhet se po këndojnë Xhindet, por Shtojzovallet (Shtoj-Zot-Vallet). Edhe këta zhduken me të dëgjuar këngën e këndezit: ‘…këndoi kokoshi dhe iknë xhinërit’ [Pedersem, Maro Përhitura]. Në Veri, një njeriu të cilit i bie sëmundja e tokës, i thonë “Mos ke shkelë kund në trevezë zanash?”. Shëmbëllyeshëm, sipas besimit popullor, një njeri mund “të shuplaket po të shkelë në sofër (trevezë) të Xhindeve.
Nisur nga kjo e dhënë, ne na duket se Xhindi i besimeve popullore s’është, veç se një Zanë e rrëgjuar dhe e kontaminuar prej një prej figurave më të njohura të demonologjisë islame Xhindi (‘xhini’ në njëjës).