Shteti amerikan i Xhorxhias njoftoi se të gjitha votat për zgjedhjet presidenciale do të rinumërohen me dorë. Joe Biden kryeson me rreth 14 mijë vota ndaj presidentit në detyrë, njoftoi sekretari i këtij shteti Brad Raffensperger.
“Matematikisht, në të vërtetë duhet bërë një rinumërim i plotë me dorë i të gjitha fletëve të votimit, sepse diferenca është shumë e ngushtë”, tha Sekretari i Shtetit i Xhorxhias, Brad Raffensperger, në një konferencë shtypi. “Ne duam ta fillojmë këtë para se të mbarojë java“, tha ai.
Në një deklaratë të mëparshme Sekretari i Shtetit i Xhorxhias tha se numërimi ka shumë gjasë të përfundojë deri të mërkurën në mbrëmje ose të enjten në mëngjes.
“Është e rëndësishme të veprosh shpejt, por është më e rëndësishme ta bësh punën saktë”, tha ai. Në këtë shtet nuk ekziston rregulli i rinumërimit automatik, por një kandidat mund ta kërkojë rinumërimin nëse diferenca e votave është më e vogël se 0,5 për qind.
Ndërkohë, presidenti në detyrë, Donald Trump, bëri daljen e parë publike që pas zgjedhjeve. Ai mori pjesë në një ceremoni përkujtimore për Ditën e Veteranëve në varrezat ushtarake Arlington pranë Uashingtonit.
Në shiun që vazhdonte të binte, Presidenti Trump vendosi një kurorë përpara monumentit të ushtarit të panjohur, në shoqërimin e nënpresidentit Mike Pence.
Kjo është një nga paraqitjet e para publike të Presidentit Trump që kur rivali i tij demokrat Joe Biden siguroi votat e nevojshme të Kolegjit Zgjedhor për të fituar presidencën, sipas vlerësimit të organizatave të mëdha mediatike.
Ceremonitë e vendosjes së kurorave në në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit kanë tërhequr mijëra njerëz në të kaluarën. Por ceremonia e këtij viti është e mbyllur për publikun dhe e ndryshuar në format, në mënyrë që pjesëmarrësit të mund të zbatojnë udhëzimet e sigurisë për pandeminë e koronavirusit.
Trump nuk bëri asnjë deklaratë, ndërsa Shtëpia e Bardhë publikoi fjalimin që do të mbante. Trump thekson se ka punuar pa reshtur në mbështetje të veteranëve.
Ndërsa presidenti i zgjedhur, Joe Biden, homazhet i bëri në Filadelfia.