Çfarë nuk bëhet për të fituar… Giovanni Trapattoni i besonte një shishe uji të bekuar për të hequr shpirtrat e këqinj; Bruno Pesaola duhet të dëgjonte një disk të preferuar përpara çdo ndeshje; Valeri Lobanovsky i ndalonte futbollistët e tij që të mbanin fanella me numrin “13” dhe duhet të ishte gjithmonë i fundit që zbriste nga autobusi.
Po trajneri i ri i Juventusit?
Ja disa nga sekretet ose besëtytnitë e Sarrit…
Fanellë dhe këpucë të zeza
Përveç se është një trajner i shkëlqyer, neo-juventini është edhe skaramantik. Edhe në këtë fushë, shumë pak kolegë në botë mund ta sfidojnë. Anekdotat janë të shumta, ritet e tij dhe manitë janë që në kohët kur alternonte punën në bankë dhe atë (shumë zbavitëse) në fushat e provincës.
Për të mbërritur në Stia – dhe jemi në vitin 1990, kur “sarrizmi” ishte një neologjizëm ende i panjohur, edhe në Trekani – Sarri duhet të kalonte nga një rrugë shkëmbore, me shumë zig-zag (dredha), dhe ai ishte mësuar që të ndizte cigaret vetëm kur duhet të përballej me disa kthesa.
Mbante veshur fanella të zeza dhe këpucët e futbollistëve duhet të ishin të zeza.
Macja e zezë
Kur ishte te Carviglia, njëherë mbërriti vonë në një stërvitje sepse një mace e zezë i kishte prerë rrugën dhe ai qëndroi dhjetë minuta deri sa të kalonte dikush tjetër, përpara se të ecte me makinë. Në Antella ushqehej gjithmonë në të njëjtin restorant që i sillte fat, te Faellese shoqërohej me një punëtor që ishte i shkurtër dhe fatjellës, aq sa e quante “xhuxhi”.
Nëse pinte cigare në një vend të caktuar dhe fitonte, e përsëriste ritualin. Kur stërviste Sansovinon, një të dielë përplasi makinën e një lojtari. Skuadra fitoi dhe Sarri përplasi makinën prap javën tjetër dhe fitoi sërish… Nëse dikush, gabimisht, konsumonte 3 kafe përpara një fitore, ishte i detyruar që të pinte po tre kafe në ditë në javët e ardhshme.
Mjekra dhe riti
Manitë e Sarrit nuk janë zvogëluar edhe kur ka hedhur hapat në futbollin profesionist. Në Empoli, pas një fitore, detyroi gazetarët që të mos ndërronin vend në konferencat për shtyp. Në Napoli rruante mjekrën një herë në javë (të premten) dhe futbollistët duhet të zbrisnin në fushë me fanellën që kishin veshur një javë më parë.
Jorginho, një nga të besuarit e tij, ka treguar për gazetarët angleze… “refuzon që të prekë topin që del në rivënie anësore dhe i drejtohet atij… Nuk dëshiron as që t’i kalojë afër”.
Këtë vit, te Chelsea, përpara kohës shtesë ndaj Eintracht, trajneri nuk zbriti në fushë për të dhënë udhëzime pas 90 minutave dhe kur do të niste koha shtesë. Besnytni? Sigurisht… Por, nga riti në rit, ish-punëtori i bankës arriti që të fitonte Europa League dhe stërviste Juventusin. Ndoshta, nuk është një rastësi apo thjesht zotësi.