Sport Capello mbron Sarrin: Sulmet ndaj tij i kam provuar edhe unë

Capello mbron Sarrin: Sulmet ndaj tij i kam provuar edhe unë

Fabio Capello do të mbushë 73 vjeç nesër, ka kohë që nuk ulet më në stol, por futbollin e ndjek me vëmendje të jashtëzakonshme dhe gjithnjë është i gatshëm të analizojë ngjarjet e fundit, në Itali apo jashtë saj.

Në këtë moment temë dite është emërimi i Maurizio Sarrit në postin e trajnerit nga Juventusi, duke bërë që të plasin polemikat, pasi shumë tifozë bardhezinj i kujtojnë Sarrit rivalitetin dhe batutat anti-Juve kur drejtonte Napolin.

Gjithsesi, Capello nuk e konsideron ndonjë problem madhor: “Edhe unë, kur shkova te Juve, pata disa probleme, jo aq shumë për faktin se kisha drejtuar Milanin e Romën, por sepse kisha thënë që nuk do kisha shkuar kurrë te Juventusi. Pati polemika, parulla kundër meje, por gjithnjë nga grupimet ultra. Të zakonshmit, ata që janë një ndër të këqijat e futbollit italian.

Nuk e imagjinoj dot që një trajner si Ancelotti të mos pranohet nga tifozët, apo që Conte të kritikohet për kalimin tek Interi. Trajnerët janë profesionistë, por problemi është se tifozllëku shpesh kthehet në biznes. Gjithsesi, sapo të nisin fitoret, të gjithë do heshtin dhe Sarri do punojë i qetë.

Sarri ka presion, për shkak se i kërkojnë Champions League, por fitoi trofe në Angli dhe aty është ajka e futbollit, vetëm Reali e Barcelona janë në atë nivel. Chelsea nuk luante me 4-3-3, si te Napoli, ndaj edhe Sarri mësoi gjëra të reja, duke e transformuar pak nga pak ekipin”.