Aktualitet Yuri Kim: Grupet e armatosura që mbrojnë votat janë pjesë e së...

Yuri Kim: Grupet e armatosura që mbrojnë votat janë pjesë e së shkuarës

Ambasadorja amerikane, Yuri Kim, përsëriti edhe një herë thirrjen e saj për zbardhjen e plotë të ngjarjes tragjike të 21 prillit në Elbasan, ku një person mbeti i vrarë, pas një përplasjeje të armatosur për shkaqe politike.

“Shkelësit të kapen dhe të ndëshkohen plotësisht. Nuk ka përjashtime, nuk ka trajtime të veçanta, askush nuk është mbi ligjin. Zgjedhjet kanë lidhje me të ardhmen, jo me të shkuarën. Gjërat e tmerrshme të së shkuarës duhet të lihen në të shkuarën”, tha Kim, pas një takimi në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Kim tha se grupe të armatosura që mbronin votat e qytetarëve janë pjesë e të shkuarës dhe sot nuk duhet të përsëriten të njëjtat gjëra.

“Gjërat e tmerrshme të së shkuarës duhet të lihen pas. Gjëra si grupe të paautorizuara, jo zyrtare, të armatosura, për të mbrojtur votën e qytetarëve, janë pjesë të shkuarës, lërini në të shkuarën, nuk janë pjesë të ardhmes. Nuk i shkojnë një vendi të NATO-s dhe që aspiron të anëtarësohet në BE. Është përgjegjësi e udhëheqësve, duke filluar nga ata që mbajnë postet më të larta shtetërore, është përgjegjësi e tyre që të bëjnë thirrje për qetësi, për t’u siguruar që të mos ketë nxitje. Po i monitorojmë veprimet e liderëve”, tha Kim, ndërsa ka falenduar kryeministrin Edi Rama dhe kryedemokratin Lulzim Basha për thirrjen e tyre për qetësi.

Sa i përket zgjedhjeve, ambasadorja amerikane tha: “Patëm mundësi të informoheshim për përgatitjet për zgjedhjet e 25 prillit. Është e rëndësishme të jetë një proces paqësor ku votuesit të kenë të drejtë të shprehin vullnetin e tyre. Autoritetet janë të përgatitura të mbrojnë votën. Miqtë tuaj nga komuniteti ndërkombëtarë janë këtu për t’u siguruar për këtë proces. Unë do të jem mes një prej 25 skuadrave që do të udhëtojnë në të gjithë vendin. Do të jemi me ju ndërsa votoni dhe ndërsa vota juaj numërohet”.