Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, u ka bërë apel autoriteteve lidhur me sigurinë e zgjedhjeve të 25 Prillit.
Nëpërmjet një reagimi në Twitter, Kim kujton se rregullat dhe kushtet e zgjedhjeve duhet të jenë të drejta, në kohë dhe transparente.
Më tej ambasadorja ka shkruar se çdo gjë më pak do të ishte dëm për votuesit.
“Kujtesë: Është absolutisht e rëndësishme për autoritetet të sigurojnë që rregullat dhe kushtet e zgjedhjeve te jenë të drejta, në kohë dhe transparente. Çdo gjë më pak do të ishte dëm për votuesit dhe një hap prapa për demokracinë”, shkruan ambasadorja Kim.
Kur kanë mbetur edhe 22 ditë nga mbajta e zgjedhjeve parlamentare, votuesit shqiptarë nuk e dinë ende se cila do jetë fleta e votimit pasi partitë politike nuk pajtohen me njëra tjetrën në lidhje me modelin.
Konkretisht PS kërkon që kandidatët në fletë të identifikohen me numra, kurse PD-ja kërkon që kandidatët të jenë me emra.
Kjo çështje tashmë pritet të zgjidhet përfundimisht nga ana e Kolegjit Zgjedhor, pasi PD-ja vendosi sot të ankimojë vendimin e KAS, i cili i dha të drejtë PS-së për përdorimin e fletës së votimit, ku kandidatët do të identifikohen me numra.