Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim ka zhvilluar një takim me presidentin Bajram Begaj të cilit i ka shprehur vlerësimin për pritjen që Shqipëria organizoi ndaj samitit të përbashkët mes liderëve të BE dhe atyre të Ballkanit Perëndimor.
Burime të ‘American Eye’ në Presidencë bëjnë me dije se temë e bisedës ka qenë edhe përfundimi i mandatit të ambasadores Kim në Tiranë.
Yuri Kim e nis detyrën e saj si ambasadore në Tiranë në janar të vitit 2020 dhe tashmë është në fund të mandatit të saj si përfaqësuese e qeverisë amerikane në Shqipëri.
Pas mbarimit të mandatit të Yuri Kim, ambasada amerikane do të drejtohet nga zëvendësambasadori Demian Smith që nisi detyrën si Zëvendës Shef i Misionit në Ambasadën e SHBA në Tiranë në korrik 2021. Smith do të jetë në detyrë derisa të emërohet nga Presidenti Joe Biden ambasadori i ri në Tiranë që sipas burimeve tona nuk është një emër i panjohur për Shqipërinë.
Gjatë muajve të kaluar, emri i Yuri Kim ishte lakuar nga mediat në Korenë e Jugut mund të ishte përfaqësuesja e Shteteve të Bashkuara në këtë vend.
Pas takimit me Begajn, me anë të një postimi në Twitter, Yuri Kim duket se ka dhënë dhe ‘lamtumirën’ duke shkruan dhe njëherë se SHBA mbështet të gjitha përpjekjet e Shqipërisë në Reformën në Drejtësi me qëllim anëtarësimin drejt Bashkimit Europian.
Kim bëri me dije gjithashtu se ishte bërë një rishikim i të gjithë arritjeve për vitin 2022 në bashkëpunimin mes dy vendeve si aleatë të NATO-s dhe Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
“Faleminderit President Bajram Begaj për mundësinë për të shprehur mirënjohjen lidhur me mikpritjen e Shqipërisë në samitin BE-Ballkani Perëndimor. Është hera e parë që ky Samit mbahet jashtë Brukselit. Amerika mbështet fuqimisht përpjekjet e Shqipërisë për të ndërmarrë hapat e nevojshëm duke përfshirë reformën në drejtësi, drejt rrugës në BE.
Ne rishikuam gjithashtu arritjet në vitin 2022, si aleatë të NATO -s, anëtarë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe miqtë më të mirë, që i sollën marrëdhëniet SHBA-Shqipëri në nivele të larta historike. Mezi presim të bëjmë edhe më shumë së bashku në 2023 për të forcuar bashkëpunimin amerikano-shqiptar në demokraci, mbrojtje dhe biznes”, shprehet ambasadorja.