Ambasadorja e ShBA-së Yuri Kim ishte e pranishme në prezantimin e indeksit të biznesit 2019 ku vuri theksin në luftën kundër korrupsionit di një ndër kriteret që po pengon dhe ardhjen e investimeve amerikane.
Ambasadorja u ndal tek politika dhe i bëri thirrje liderëve politikë të lënë mënjanë lojërat dhe të punojnë për shqiptarët.
“Fakti që situata politike doli në krye të listës të shqetësimeve tregojnë se shqiptarët janë të lodhur nga politika, ata duan zgjidhje dhe nuk duan të vazhdohet loja, se kush e ka fajin, njëra fajëson tjetrën. Duan që të shikojnë që udhëheqësit të punojnë së bashku për të mirën e popullit. Duan që qeveria tu ofrojë një mundësi pa frikë e korrupsion, për të fituar para dhe për të arritur një standard të mirë jetese. Populli shqiptar do rezultate nuk do ofendime, duan vizion, nuk duan ndarje”, theksoi Yuri Kim.
Sa i takon korrupsionit ambasadorja u shpreh se po pengon dhe ardhjen e investimeve amerikane.
“Klima politike, konkurrenca e padrejtë dhe korrupsioni. Ndikon në gjithçka. Në tre prioritetet që kam në Shqipëri është forcimi i marrëdhënieve, mbështetja e Shqipërisë si një vend demokratik dhe rritja e investimeve amerikane në Shqipëri, secila ndikohet nga korrupsioni“, tha Kim.
Ambasadorja ngriti dhe disa pyetje për qeverinë se kush janë planet për të krijuar vende të reja pune dhe të tërhiqen investimet e huaja, në një kohë kur situata është bërë edhe më e vështirë pas pandemisë.
“Jam kureshtare të di cili është vizioni i Dhomës Amerikane të Tregtisë për Shqipërinë dhe rekomandimet si të lëvizim nga një situatë e vështirë si të krijohen vende pune, të tërhiqen investime të huaja dhe si të rrisim mundësitë për të rinjtë. Këto janë pyetje për Dhomën Amerikane të Tregtisë, por dhe për qeverinë. Të gjithë palët e interesuara duhet të bashkohen për të prodhuar zgjidhje, qasje proaktive të orientuara drejt zgjidhjeve”, përfundoi Kim.