Zarife Hasanaj, nëntetarja shqiptare e cila humbi jetën në detyrë në kuadër të misionit të NATO-s në Letoni, shpallet “Dëshmore e Atdheut”. Lajmin ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, ia dha personalisht familjarëve të ushtarakes që humbi jetën në Letoni.
Gjatë vizitës në familje, ministrja Xhaçka ngushëlloi familjarë duke u shprehur se “dhimbja juaj është edhe e jona. Jeni pjesë e familjes së madhe ushtarake. Do keni mbështetjen tonë për çdo nevojë”.
“Ndarja nga jeta e Zarifes është humbje e madhe për të gjithë ne. Zarife Hasanaj shpallet “Dëshmor i atdheut””, tha Xhaçka.
Ministria e Mbrojtjes bën të ditur se “trupi i nëntetares është nisur për në Shqipëri. Në bazën Camp Adazi në Letoni pak më parë u organizua ceremonia e lamtumirës me pjesëmarrjen e efektivëve nga 10 vendet, pjesë e misionit “Enhanced Forward Presence””.
Nëntetarja Hasanaj humbi jetën si pasojë e shpërthimit të disa municioneve të paplasura gjatë kryerjes së detyrës në bazën e NATO-s në Letoni, ku po zhvillohej stërvitja ushtarake e një prej aleatëve. Nga ky shpërthim mbetën të plagosur edhe komandanti i kontigjentit, major Klodian Nikolla Tanushi dhe rreshter Julian Xhevat Kapaj.