Kryesore Samiti Në Tiranë, Meta: Konkluzionet të dëgjohen në BE

Samiti Në Tiranë, Meta: Konkluzionet të dëgjohen në BE

“Është e rëndësishme që konkluzionet e këtij samiti të dëgjohen në javët e ardhshme në BE”. Kështu u shpreh presidenti i Shqipërisë Ilir Meta në fjalën e tij gjatë konferencës së përbashkët për shtyp pas takimit në samitin e Brdo Brijunit.

Në fjalën e tij kreu i shtetit shqiptar vlerësoi se në këtë samit u ra dakord për nxitjen e bashkëpunimit rajonal si edhe krijimin e një hapësire ekonomike atraktive sidomos nga vende të BE.

“Bisedat dje dhe sot ishin të hapura, intensive dhe frymë mirëkuptimi, nxitje e bashkëpunimit rajonal dhe zgjidhjen e çështjeve të mbetura pezull, krijimi i një hapësire ekonomike atraktive, sidomos nga vende të BE. U evidentua ecuria pozitive e rajonit dhe arritja e marrëveshjes së Prespës dhe rrugën e suksesshme të Maqedonisë së Veriu në NATO e BE. U angazhuam të bashkëpunojmë për të ruajtur e garantuar paqen e sigurinë në rajon”.

Meta theksoi se u ra dakord që samiti i ardhshëm të organizohet në Slloveni dhe me pjesëmarrjen e përfaqësuesit të Kombeve të Bashkuara.

Gjatë konferencës, presidenti Meta u pyet nga gazetarët për çështje delikate mes Kosovës dhe Serbisë. Duke komentuar takimin e dy liderëve Thaçi e Vuçiç gjatë samitit, Meta tha se atmosfera ka qenë shumë pozitiv dhe se do të donte që dialogu mes këtyre dy vendeve të kishte përfunduar me kohë.

“Nuk di të them nëse ky samit ka afruar më tepër dy liderët Kosovë-Serbi, por di që atmosfera ka qenë shumë pozitiv këtu. Do të donim që dialogu Kosovë–Serbi të kishte përfunduar dje. Jo sot dhe as nesër. Samiti i Brdo Brijonit është një samit që ka një format të përcaktuar”, tha Presidenti Meta.

Por situata duket se nuk ka qenë aq miqësore, pasi Presidenti i Bosnjës dhe ai i Serbisë janë pritur në Tiranë me protesta nga Vetëvendosje. Presidenti Meta duke komentuar situatën para gazetarëve tha se Dodik ka mbetur i kënaqur nga vizita e tij e parë në Shqipëri. Sipas Metës, ai i kishte premtuar që do të vinte sërish për turizëm.

“Atmosfera ka qenë mjaft pozitive dhe konstruktive, sikur e shprehja, arritja e Prespës është historike, të gjithë do të donim që edhe dialog Kosovë-Serbi të kishte përfunduar, por e thashë por nëse do të kishte ndodhur menjëherë me Prespën dikush mund të na ngatërronte duke menduar se ishim në Beneluks dhe jo në rajon. Por kemi angazhim të përbashkët për paqen dhe perspektivën europiane dhe vullneti për ti zgjidhur të gjitha çështjet përmes dialogut. Samiti ka një format të përcaktuar dhe Dodik ka qenë i ftuar dhe mirëseardhur si president i radhës i Bonjës, besoj se ka mbetur i kënaqur, ishte hera e parë që vinte në Tiranë dhe ka premtuar se do të vijë edhe për turizëm, pasi kishte dëgjuar për mikpritjen shqiptare”, u shpreh Presidenti.