Shefja për Politikën e Jashtme në Bashkimin Europian, Federica Mogherini mbërrin pasditen e të premtes në Tiranë në kuadër të një turi që po zhvillon në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Në axhendën e saj parashikohen takime me zyrtarë të lartë në vend.
Sipas njoftimit nga Zyra e Delegacionit të BE në Tiranë, rreth orës 17.30 Mogherini do të mbajë një fjalim në Universitetin Politeknik të Tiranës.
Ndërsa rreth orës 20.15, Shefja për Politikën e Jashtme në BE takon kryeministrin Rama, ku më pas do të kenë edhe një prononcim për mediat.
Gjatë kësaj të enjte, Mogherini ka vizituar Shkupin ku në takimet me krerët e lartë të politikës kërkoi kapërcimin e krizës dhe formimin e qeverisë së re maqedonase.
Mogherini rikthehet në Shqipëri pas vizitë së një viti më parë. Në 3-4 mars të një viti më parë ajo ishte në Tiranë ku i bëri thirrje opozitës dhe maxhorancës të gjejnë konsensusin për Reformën në Drejtësi.