Një ditë më parë një sherr mes disa personave përfundoi me plagosjen e ndërtuesit Sino Llanaj. Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Ndre Mjeda”, në afërsi të ish-parkut të autobusëve.
Lidhur me këtë ngjarje, ku mbeti i plagosur ndërtuesi Sino Llanaj, policia njofton se ka arrestuar 5 persona. Sipas policisë në pranga kanë rënë” Albert Allmuça, për veprën penale “Moskallëzim i krimit” dhe i plagosuri Sino Llanaj, për veprat penale “Goditja për shkak të detyrës” dhe “Moskallëzimi i krimit”.
Po ashtu janë arrestuar dhe: Shkëlzen Byberi, 41 vjeç, për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Moskallëzimi i krimit”; Skënder Margjeka, 52 vjeç, dhe Alfred Lumani, 48 vjeç, për veprën penale “Moskallëzim i krimit. Si dhe u procedua në gjendje të lirë shtetasi K. K., për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.
Blutë e Tiranës sqarojnë se Llanaj së bashku me persona të tjerë, ka shkuar në kompleksin në rrugën “Ndre Mjeda”, ku janë konfliktuar fizikisht me rojet e sigurisë duke përdorur sende të forta dhe armë zjarri.
“Policia ka bërë të mundur identifikimin e njërit prej shtetasve (për arsye hetimore nuk bëhen të ditura gjeneralitetet e tij), i cili ka qëlluar me armë zjarri. Po punohet për kapjen e tij“, theksohet më tej në deklaratë.
Ngjarja e djeshme ishte e dyta në pak kohë në të cilën përfshihet Llanaj. Ai u dhunua dhe pak ditë më parë në Astir.