Gjykata e Tiranës ka zbardhur të arsyetuar vendimin që pushoi çështjen hetimore ndaj kreut demokrat, Lulzim Basha, ish-sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike, Arben Ristani, dhe financierit Ilir Dervishi.
Në një material prej 41 faqesh, gjyqtari Lazer Sallaku ka argumentuar se të dyja akuzat e falsifikimit të formularëve dhe të pastrimit të parave megjithë hetimin e zhvilluar nuk arritën të provohen.
Përsa i përket akuzës së pastrimit të parave, gjykata argumenton se sipas hetimit gjyqësor ka rezultuar se Partia Demokratike nuk ka patur kontratë lobimi me kompaninë ‘Biniada Trede’.
Sipas gjykatës, kontrata e Nik Muzin me ‘Biniada Trede’ s’ka lidhje me interesa të ndonjë partie politike.
Kjo edhe pse në argumentet e prokurorisë Nik Muzin ka deklaruar me anë të letërporosisë se 500 mijë dollarë i ka marrë nga Partia Demokratike.
Por sipas gjykatës nuk provohet nga asnjë dokument që këto para janë dhënë cash nga selia blu te kompania e huaj për të bërë lobim në ShBA.
Nga ana tjetër, prokuroria ka bërë të ditur se do të apelojë çështjen.