Aktualitet Zbardhet vrasja në Bulqizë, procedohen prindërit e autorit të dyshuar

Zbardhet vrasja në Bulqizë, procedohen prindërit e autorit të dyshuar

Policia ka zbardhur ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e së enjtes në Fushë Bulqizë, ku mbeti i vdekur 22-vjeçari Elidon Basha. Në pranga në lidhje me këtë ngjarje është vënë Klodian Kola, 27-vjeç.

Viktima dhe autori i dyshuar i ngjarjes janë shokë dhe kanë qenë sëbashku në Fushën e Peladhisë, në afërsi të ish-Repartit Ushtarak kur e ka qëlluar me armë. Dyshohet se ngjarja ka ndodhur nga pakujdesia pasi dy të rinjtë kishin shkuar aty për gjueti.

Viktima: Elidon Basha

Në cilësinë e provës materiale, autoritetet sekuestruan motomjetin me të cilin kishin lëvizur për gjueti, një armë gjahu, një kallashnikov, një pushkë sportive, një gjerdan me fishekë, një elektrik dore si dhe rrobat me njolla gjaku që autori kishte veshur në momentin e ngjarjes.

I arrestuari Klodian Kola

Policia ka proceduar penalisht dy prindërit e 27-vjeçarit Kola. Ata kanë fshehur motorin me të cilin ka lëvizur djali i tyre dhe kanë fshehur veshjet e tij në momentin e ngjarjes. Më pas, burrë e grua kanë çmontuar dhe kanë pastruar armën e gjahut që i arrestuari ka pasur në momentin e ngjarjes.

“Materialet hetimore në ngarkim të autorit të dyshuar dhe prindërve të tij i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme për veprat penale në ngarkim të shtetasit K.K, ” Vrasja nga pakujdesia”, “Armëmbajtje pa leje”, ”Prodhimi dhe mbajta pa leje e armë të gjuetisë”, “Drejtimi i mjetit në mënyrë të pa rregullt”, dhe ndaj prindërve të tij për veprën penale “Veprime që pengojnë zbardhjen e së vërtetës””, thuhet në njoftimin e policisë.

Elidon Basha u qëllua në shpatull. Ai u dërgua fillimisht në spitalin e Dibrës ku ka marrë edhe ndihmën e parë mjekësore. Gjendja e tij është përkeqësuar gjatë rrugës drejt Spitalit të Traumës në Tiranë e si pasojë e gjakderdhjes ka ndërruar jetë.

Nga ana tjetër, Klodian Kola i ka mohuar akuzat. Ai ka pretenduar se shoku i tij është qëlluar nga persona të tjerë.

Por disa orë më vonë, policia gjeti të fshehur pranë vendit ku ndodhi ngjarja një kallashnikov me të cilin dyshohet së është qëlluar për vdekje 22-vjeçari.