Policia e Korçës ka zbardhur vrasjen e 57-vjeçarit Gramoz Nako, i cili u gjet i vrarë në banesë pasditen e së hënës. Sipas policisë, autor i dyshuar është kunati i viktimës, S.Z. 71 vjeç. Ky i fundit, pas krimit ka vrarë veten.
71-vjeçari u gjet i vetëvrarë në banesën e tij mëngjesin e kësaj të marte në momentin kur policia po shkonte për ta shoqëruar në komisariat si person të dyshuar apo që mund të kishte dijeni për vrasjen e Gramoz Nakos.
Policia thotë se 71-vjeçari jetonte i vetëm dhe u vetëvra me pistoletë. Dyshohet se kjo armë është përdorur fillimit në vrasjen e 57-vjeçarit Gramoz Nako. Ky i fundit u gjet i vdekur në banesën e tij në lagjen nr.7 të qytetit të Korçës nga bashkëshortja e tij.
Njoftimi i Policisë së Korçës:
Në vijim të ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme në lagjen nr 7, ku u gjet i vrarë me armë zjarri tip pistoletë, shtetasi G.N, 57 vjeç informojmë se:
Autori i dyshuar i kësaj ngjarje është kunati i tij shtetasi S.Z, 71 vjeç, banues në Korçë, i cili mëngjesin e sotëm në momentin kur shërbimet e Policisë kanë shkuar për ta shoqëruar në Komisariat, është vetvrarë me armë zjarri tip pistoletë, në banesën e tij ku jetonte i vetëm.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.