Zbulohen në planetin Mars gjurmë të 24 liqeneve antikë.
Sipas analizimeve shkencore, duket se 3.5 miliardë vjet më parë planeti i kuq ishte shumë i pasur me ujë, dhe këta liqene ishin shumë të thellë, të paktën 4 mijë metër.
Në 5 prej tyre janë gjetur gjurmë mineralesh, çka vërteton se ishin të përshtatshëm për jetën e gjallesave, ndërsa në 14 të tjerë janë ruajtur shumë mirë edhe gjurmët e grykëderdhjeve të lumenjve.
Zbulimi i ekipit të shkencëtarëve të Universitetit të Utreht pas provave të përftuara, është publikuar në revistën shkencore mbi Kërkimet Gjeofizike Planetare.
Vitin e kaluar në polin jugor të Marsit u zbuluan gjurmë të një liqeni të kripur, dhe tani të dhënat e reja dokumentojnë se edhe hemisfera veriore e planetit ka qenë dikur shumë e pasur me ujë.
Të dhënat mbërrijnë nga satelitët e Agjencisë Hapësinore Evropiane dhe të NASA që po eksplorojnë planetin Mars.