Australia mund të ketë qenë vizituar nga detarët portugezë më shumë se 250 vjet para se kapiteni James Cook të mbërrinte në kontinent.
Kjo është një teori që shqyrtohet nga shkencëtarët në Australi. Ata po përpiqen të gjurmojnë origjinën e një monedhe afrikane, e cila u gjet në një plazh vitin e kaluar.
Monedha e bakrit, e cila është një nga disa gjetjet e ngjashme, besohet të jetë një monedhë Kilwa nga rajoni që sot njihet si Tanzania, dhe daton pothuajse 1000 vjet më parë.
Por, si përfundoi monedha në Ishujt Wessel jashtë Australisë veriore, ende nuk është e qartë.
Një shpjegim i mundshëm është se portugezët, të cilët kishin bastisur Kilwan në vitin 1505, e humbën apo e lanë monedhën gjatë udhëtimeve në Azinë juglindore.
Detarët portugezë ishin në Timorin Lindor deri në vitin 1515 dhe potencialisht mund të kishin arritur në kontinentin australian.
Kjo do t’i bënte ata ndoshta evropianët e parë që kanë arritur në Australi.
Kjo nënkupton se ata mbërritën atje rreth 250 vjet para se kapiteni britanik James Cook të merrte kontinentin nën kontroll.
Duke folur për Guardian, arkeologu Mike Hermes tha: “Portugezët ishin në Timor në vitet 1514, 1515 – dhe të mendosh se nuk do të shkonin edhe në lindje është qesharake”.
Duke diskutuar lidhur me monedhën, ai tha: “Ne e kemi peshuar dhe matur atë, dhe kjo është goxha shumë një kopje e monedhës Kilwa. Dhe nëse është, kjo mund të ndryshojë gjithçka.”
Hermes gjeti monedhën në një plazh në Ishujt Wessel vitin e kaluar, duke thënë se nuk kishte vlerë të brendshme.
Ishujt Wessel janë vendi i vetëm jashtë Kilwas dhe gadishullit arab ku janë gjetur monedha të tilla, tha Hermes.
Edhe operatori i radarit Maurie Isenberg gjeti katër monedha holandeze me një vlerë shumë më të vogël. Ai i mbajti monedhat e fshehura për dekada derisa në fund ia dhuroi një muzeu të Sidneit në vitin 1983.
Aty e ka fillin edhe një valë spekulimi, nëse Portugalia ishte fuqia e parë evropiane që ka mbërritur në Australi.
Shkencëtarët në Australi po shqyrtojnë tani monedhën e re në përpjekje për të zbuluar sekretet e saj.
Hulumtuesit kanë thënë se një rrugë detare nga Kilwa në Afrikën lindore të Omanit dhe pastaj mbi Indinë, Malajzinë dhe Indonezinë ishte mjaft e njohur dhe e përshkuar në vitet 1500-të.
Kontaktet më të hershme evropiane me Australinë kanë qenë prej kohësh të mbuluar në mister.
Navigatori francez Binot Paulmier de Gonneville pretendonte se e kishte zbuluar “Lindjen të Kepit të Shpresës” në vitin 1504, pasi kishte humbur drejtimin.
Por vendi që ai arriti, që disa besonin të ishte Australia, është provuar të jetë Brazili.
Mbërritja e parë e njohur evropiane ishte nga një lundrues holandez, Willem Janszoon, në vitin 1606.
Anglezi i parë që do të mbërrinte në kontinentin australian ishte William Dampier, një ish-pirat që shkeli në bregun veriperëndimor, pranë King Sound, në janar të vitit 1688 me një anije të vogël tregtare.
Kapiten James Cook pastaj arriti në Botany Bay në Sydney në vitin 1770 dhe ia dha vulën britanizimit të kontinentit.