Rrugët dikur të mbushura me njerëz të qyteteve nëpër botë janë tani bosh, për shkak të pandemisë së koronavirusit. Trafiku është ulur në minimum dhe industritë po ndalen.
Pandemia ka bërë që planeti Tokë të jetë një vend shumë më i qetë për të jetuar, dhe shkencëtarët po bëjnë vëzhgimet e tyre tërheqëse.
Ata po shohin gjithnjë e më pak zhurmë sizmike, që do të thotë më pak dridhje të gjeneruar nga makina, trena, autobusë dhe automjete të tjera..
Thomas Lecocq, një gjeolog dhe sizmolog nga Belgjika, ishte i pari që zbuloi këtë fenomen në Bruksel.
Zhurma sizmike në këtë qytet është zvogëluar nga 30 në 50 përqind që nga mesi i marsit, raporton CNN.
“Niveli i zhurmës sizmike është në nivelin që ne shohim gjatë Krishtlindjes”, tha Lecocq.
Për shkak të këtij fenomeni, Lecocq dhe sizmologët e tjerë nga Brukseli janë në gjendje të zbulojnë tërmete të vogla dhe aktivitete të tjera sizmike, të cilat ata nuk mund t’i regjistronin.
“Le të marrim shembullin e një stacioni sizmik në Bruksel që është praktikisht i padobishëm në kohë normale. Qelizat sizmike kanë tendencë të bllokohen jashtë zonave urbane, pikërisht për shkak të më pak zhurmës që bëjnë njerëzit”, tha Lecocq.
Sizmologët nga qytete të tjera të botës kanë raportuar të dhëna të ngjashme. Paula Koelemeijer ka postuar në profilin e saj në Tëitter një grafik që tregon më pak zhurmë në perëndim të Londrës pasi qeveria futi masa më rigoroze për të frenuar epideminë.
Celeste Labedz, një student doktorature në Institutin e Teknologjisë në Kaliforni, gjithashtu postoi një diagramë që tregon të dhëna të ngjashme.
Labedz thotë se këto lloj të dhënash janë dëshmi se njerëzit në mbarë botën po dëgjojnë udhëzimet qeveritare dhe kanë zvogëluar lëvizjet e tyre.
“Nga këndvështrimi ynë, kjo është dëshmi që mund të motivojë njerëzit që të vazhdojnë me masat. Kushdo që ndihet i vetmuar në shtëpi, sepse nuk del jashtë, mund t’i thuhet: ‘ju nuk jeni vetëm, të gjithë janë në shtëpi, të gjithë po bëjnë të njëjtën gjë, duke u bindur rregullave të përcaktuara’”, tha ai.