Stonehenge është një nga monumentet më të njohura dhe të vizituara të Britanisë së Madhe, dhe ndoshta të botës. Padyshim, së bashku me pikturat në shpellat e Lascaux në Francë, ky kompleks gurësh të vendosur në formën e një rrethi gjigant përbën shembullin më të lartë të artit parahistorik.
Por historia e monumentit të paktën 5 mijë vjeçar mund të ndryshojë pas studimit të një grupi arkeologësh britanikë, të drejtuar nga profesori Mike Parker Pearson, i University College në Londër.
Nga viti 2017, dihet që gurët gjigantë janë transportuar, në mënyrë ende të mistershme, nga disa lokalitete që ndodhen pothuajse 200 kilometra më larg, në Uells.
Por studimet e reja, të botuara në revistën prestigjioze Antiquity, tregojnë që jo vetëm gurët vijnë nga ai vend, por edhe vetë struktura. Gjatë kërkimeve në kodrat e Preselit, në ekstremitetin perëndimor të Uellsit, një vendbanim i njohur prehistorik ku ndodhen struktura megalitike të shumta, është zbuluar një kompleks i quajtur Waun Mawn, ku sipas studiuesve ndodhen gjurmët e asaj që ishte struktura e hershme e Stonehenge, që vetëm më pas është transportuar në vendndodhjen e tanishme, në Wiltshire të Anglisë.
Studiuesit kanë gjetur në disa gropa ku mendohet se ishin mbështetur gurët, copëza identike të materialit të Stonehenge, madje disa kanë ruajtur ende formën, si dhe drejtimin e kompleksit nga solstici i verës, që ndodh më 21 qershor, dhe që shquhet si një nga festat më të hershme të njerëzimit.
Studiuesit mendojnë se edhe personat që më vonë kanë rindërtuar me ato gurë Stonehenge, ose pjesë të saj, vijnë pikërisht nga ajo zonë e Uellsit.