Në kuadër të operacionit policor të koduar “Krateri” janë zbuluar në një krater që ka shërbyer për marrje inertesh 27 sera brenda të cilave ishin kultivuar me kubikë rreth 8 000 fidanë kanabis në Koplik të Malësisë së Madhe në vendin e quajtur “Badra e Mehajve”.
Policia njofton se fidanët ishin në kubikë, gati për t’u shpërndarë me qëllim kultivimin e tyre në tokë.
Në vijim të veprimeve hetimore, është arrestuar në flagrancë organizatori i kësaj veprimtarie, Nesti Delaj alias Errnest Veshtaj, 52 vjeç, banues në Bajzë të Malësisë së Madhe.
Gjatë kontrollit në banesën e tij, Policia ka gjeti dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 3 armë gjahu, një sasi fishekësh për armë gjahu dhe 5 thika, të cilat 52-vjeçari i mbante pa leje.
Gjithashtu, nisi procedimi penal në gjendje të lirë për Gjovalin Gjekaj 61 vjeç me detyrë Drejtor i Sërbimit Pyjor në Malësinë e Madhe, Roland Gjekaj, 41 vjeç, me detyrë specialist i Ujësjellësit në Bashkinë Malësi e Madhe (i cili mbulon zonën ku janë gjetur fidanët narkotikë) dhe Arben Hysaj me detyrë hidraulik i Ujësjellësit në bashkinë Malësi e Madhe, i cili po ashtu mbulon zonën ku janë gjetur fidanët narkotikë).
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.