Një studim i ri ka zbuluar se virusi i tipit Sars-CoV-2 mund të qarkullojë nëpër lakuriqët e natës në shumë pjesë të Azisë. Shkencëtarët thonë se prezenca e këtij virusi që shkakton edhe Covid-19, është zbuluar tek lakuriqët e natës në Tajlandën lindore.
Studiuesit besojnë se koronaviruset mund të jenë të pranishme në lakuriqët e natës në shumë rajone të Azisë. Këto zona përfshijnë Japoninë, Kinën dhe Tajlandën, thuhet në këtë studim që është botuar në revistën “Nature Communitacion”.
Shkencëtarët, që morën mostra për këtë studim, u shprehën tepër të sigurtë se koronaviruset që u gjetën në lakuriqët e natës në një shpellë në Tajlandë, kanë lidhje gjenetike me virusin Sars-CoV-2 që shkakton Covid-19.
Ky virus i emërtuar RacCS203 ka ngjashmëri të theksuar gjenetike me Sars-CoV-2, në masën 95.1%. Po kështu është i lidhur ngushtë edhe me një koronavirus tjetër të quajtur RmYN02, që gjendet tek lakuriqët e natës në Yunnan të Kinës, dhe që ka 93.6% ngjashmëri gjenetike me Sars-CoV-2, virusin që shkakton Covid-19. Në këtë studim morën pjesë shkencëtarë nga Tajlanda, Singapori, Kina, Australia dhe SHBA.
Studimet e kaluara kanë sugjeruar se virusi Sars-CoV-2 u shfaq tek kafshët, me shumë mundësi tek lakuriqët e natës, përpara se të përhapej tek njerëzit.
Origjina e saktë e koronavirusit Covid-19 deri tani është e panjohur, teksa OBSH një ditë më parë përjashtoi mundësinë që virusi të ketë dalë nga laboratori në Wuhan, pas hetimeve që zhvilloi në Kinë.