Aktualitet Zbulohen tre hajdutët e një biznesi në Librazhd, dy të arrestuar dhe...

Zbulohen tre hajdutët e një biznesi në Librazhd, dy të arrestuar dhe një i shpallur në kërkim

3 të rinj dyshohet të jenë autorët e grabitjes së një biznesi të premten në Librazhd. Policia thotë se arriti t’i identifikojë ata dhe ka vendosur në pranga dy prej tyre. Një tjetër është shpallur në kërkim.

“Si rezultat i veprimeve intensive hetimore, të kryera në kuadër të planit operacional “Sundimi i ligjit”, si dhe me mbështetjen e informacioneve nga inteligjenca policore, brenda disa orësh, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Volareka”. Gjatë operacionit u bë i mundur identifikimi i 2 autorëve të dyshuar dhe si rezultat i mirëkoordinimit të punës me shërbimet e Stacionit të Policisë Belsh u bë lokalizimi në Belsh dhe arrestimi i tyre, konkretisht i shtetasve: E. D., 22 vjeç dhe E. P., 40 vjeç, të dy banues në Kamëz. Gjithashtu, për këtë rast u shpall në kërkim shtetasi G. Ll., 26 vjeç, banues në Lezhë, pasi dyshohet i përfshirë në vjedhjen e parave”, njoftoi policia.

Siç duket edhe nga pamjet, dyshimet janë se të premten ata kanë vjedhur 110 000 lekë, në biznesin e shtetasit A. S., 58 vjeç dhe më pas janë larguar me një automjet tip “Seat” të marrë me qira.

Nga kontrolli fizik, njërit prej të arrestuarve iu gjet dhe sekuestrua një shumë parash e dyshuar e vjedhur në biznesin e kallëzuesit.