Interi po kalon një moment vërtetë delikat, pasi po përballet me një emergjencë totale në repartin e sulmit dhe për më tepër, është në një fazë mjaft të rëndësishme për objektivat sezonalë.
Trajneri Luciano Spalletti nuk ka më luksin për të zgjedhur në repartin e avancuar, pasi dëmtimit të Keita Balde i është shtuar edhe ai i Perisiç, ndërsa Lautaro Martinez është pezulluar për sfidën e kthimit ndaj Eintracht Frankfurt dhe rrezikon pezullimin edhe për derbin ndaj Milanit.
Pikërisht për këtë arsye, drejtuesit e klubit, me në krye Administratorin e Deleguar për Çështjet Sportive, Giuseppe Marotta, po punojnë për të bindur Mauro Icardin të vihet në dispozicion të trajnerit.
Kështu mbrëmjen e djeshme ka pasur një takim të dytë mes Marottës, Wanda Narës, Icardit dhe avokatit të çiftit, Paolo Nicoletti, i cili po bën edhe ndërmjetësuesin për të rivendosur paqen mes palëve.
Megjithatë rezultatet nuk kanë qenë aspak optimiste, pasi Icardi ka vendosur kushtet e tij që të rikthehet, duke qenë se ka hequr dorë nga pretendimi për të pasur shiritin e kapitenit, por ka kërkuar të tjera gjëra ndaj shoqërisë.
Kështu kërkesa më e rëndësishme e sulmuesit është që klubi të dalë dhe të japë një sqarim publik për arsyet pse e detyruan t’i heqë shiritin e kapitenit, gjë që Marotta kërkon ta shmangë medoemos, pasi kërkon që problem të mbetet brenda ambienteve familjare.
Kërkesa e dytë e sulmuesit është që Interi të nisë një fushatë për të përmirësuar imazhin e Icardit dhe të bashkëshortes menaxhere të tij, ndaj të cilëve janë thënë shumë fjalë të tepërta gjatë kësaj kohe lufte mes palëve.
Kjo është një pikë që Interi ka premtuar se do ta bëjë mirë, ndërsa kërkesa e fundit e Icardit është që të vijojë të ketë një rol të rëndësishëm në dhomat e zhveshjes, ndërsa pretendon se ka marrëdhënie të mira me pjesën më të madhe të lojtarëve dhe nuk ka asnjë arsye për të kërkuar ndjesë.
Vlen të theksohet se palët janë ende larg arritjes së një marrëveshjeje, ndërsa mediat pranë klubit zikaltër raportojnë se është thuajse e sigurt tashmë që sulmuesi do të mungojë edhe ndaj Eintrachtit të Frankfurtit, por Interi shpreson ta ketë për derbin e 17 Marsit me Milanin.
Kjo sfidë do të jetë mjaft e rëndësishme për objektivat e klubit zikaltër, që kërkon të mbetet në zonën Champions të renditjes, pasi çdo pozicion tjetër do të ishte dështim për sezonin.