Humbjet e mëdha duket se kanë qenë arsyeja kryesore që e kanë detyruar grupin Mak Albania, që ka në pronësi Hotel Sheraton, që të merrte vendimin për t’u larguar nga Shqipëria.
Sipas bilancit të konsoliduar të Mak Albania, – që përfshin Mak Albania Construction, Chateu Linza, Mak Travel dhe Sheraton Tirana Hotels & Toëers, ku aktivitetin kryesor të grupit e ka hoteli, – humbjet e akumuluara në kapital në vite, përfshirë edhe 2016-n, arritën në total në gati 11 miliardë lekë, apo rreth 81 milionë euro.
Kompania rezulton se në vite ka shitur gradualisht pronat e saj, me vlerë shumë më të ulët se ajo kontabël apo ajo e investimit fillestar, çka i ka shtuar humbjet.
Aktiviteti në 2016-n
Vetëm për vitin 2016, humbjet e Mak Albania arritën në 1.06 miliardë lekë, apo gati 8 milionë euro.
Aktiviteti i kompanisë është përkeqësuar dukshëm në 2016-n, ku humbjet pothuajse u dhjetëfishuan (në 2015-n, ato ishin 1.1 mln euro).
Humbjet ishin dy herë më të larta se të ardhurat, që arritën në 3.3 milionë euro, me një rënie prej 43% me bazë vjetore.
Rezultati negativ në 2016-n ka ardhur si rrjedhojë e raportimit të 6.1 milionë euro humbje nga shitja e Alfa Butrinti (hotel Butrinti në Sarandë), i cili u shit për një vlerë prej 820 mijë eurosh, në një kohë që vlera fillestare e investimit kishte qenë mbi 7 milionë euro, siç bëhet e ditur në shpjegimin në bilanc. Sipas ekstraktit të Alfa Butrint, Hotel Butrinti i është shitur në dhjetor 2016 sipërmarrësit shqiptar, Shyqyri Duraku.
Por edhe pa përfshirë rezultatin negativ nga shitja e Hotel Butrinti, Mak Albania për vitin 2016 raportoi humbje operative prej 1.6 milionë eurosh, në dyfishim në raport me një vit më parë.
Si u zhvlerësua Mak Albania
Mak Albania, e cila ka hapur aktivitetin në Shqipëri që në vitin 1994, jo vetëm nuk e ka shtuar vlerën në 23 vjet aktivitet, por ka parë një zhvlerësim të kapitalit nga 87 milionë euro në 22 milionë euro, për shkak të humbjeve të larta, sipas të dhënave të bilancit të vitit 2016, të përpunuara nga Monitor.
Për vitin 2016, Mak Albania raporton vetëm të ardhura nga hotel Sheraton, prej 4 milionë eurosh, me një rënie prej 13.5% me bazë vjetore, ku me tkurrje rezultojnë si të ardhurat nga dhomat-të huajt, ashtu dhe nga grupet dhe shërbimi i ushqimeve. Rritja e konkurrencës në tregun e hotelerisë në vend, me shtimin e hotel Plazza, ka ndikuar negativisht në të ardhurat e Sheraton.
Ndërsa nga aktiviteti tregtar i qendrës, në godinën e hotelit, të ardhurat ishin 780 mijë euro.
Dy kompanitë e tjera Chateu Linza, një ndër lokalet e parë në kryeqytet, dhe Mak Construction rezultojnë të falimentuar.
Sipas bilancit, kompania ka shitur në vitin 2016 makineritë dhe pajisjet e punës të divizionit Chateu Linza dhe Mak Construction, me një humbje prej 1.5 milionë euro, si rrjedhojë e shitjes me vlerë më të ulët sesa vlera kontabël e tyre.
Në vitin 2014, grupi ka shitur edhe Hotel Resort që kishte në Golem tek Mali i Robit, për 1.8 milionë euro. Edhe nga kjo shitje grupi rezultoi me një humbje prej 2.5 milionë eurosh nga vlera kontabël.
Hoteli ishte hapur që në vitin 2004.
/ Marrë me shkurtime nga Monitor