Mediat australiane kanë zbuluar të kaluarën kriminale të Petrit Lekaj, një 49-vjeçar shqiptaro-australian që qëlloi për vdekje me thikë vajzën e tij.
Petrit Lekaj ka qenë i dënuar disa herë për drogë. Në vitin 1996 ai ishte dënuar me 2 vite burgim për shitje heroine. Në vitin 2007, Lekaj u shpall sërish fajtor dhe u dënua me 200 Dollarë gjobë për posedim kanabisi. Dy vite më vonë, 49-vjeçari u dënua sërish më 900 Dollarë gjobë pasi u zbulua se kishte kultivuar disa bimë kanabisi.
Petrit Lekaj është një anëtar i njohur i komunitetit shqiptar në Australi. Ai akuzohet për vrasjen e vajzës së tij Sabrina Lekaj 20 vjeç. Në Korrik të këtij viti, 20-vjeçarja u gjet e pajetë në një makinë ‘Mercedes’. Brenda automjetit ishte i pranishëm edhe babai i saj, i ulur në sedijen e shoferit, i cili ishte i plagosur.
Hetuesit australianë kanë thënë se Petrit Lekaj, pasi kishte qëlluar për vdekje me thikë vajzën e tij, kishte tentuar të vetëvritej duke qëlluar edhe veten. Por në momentin kur u gjet brenda makinës, 49-vjeçari ishte ende gjallë dhe u dërgua në spital për trajtim mjekësor, ku dhe mundi të mbijetonte.
Paralelisht me procesin penal, ndaj Petrit Lekajt u krye edhe ekspertizë e shëndetit të tij mendor dhe aktualisht po mbahet në një institucion të specializuar. Në seancat e mëparshme gjyqësore, Lekaj ka pranuar të ketë qëlluar me thikë vajzën.
Ngjarja e rëndë dyshohet të ketë ndodhur për motive banale. Natën e vrasjes, Sabrina kishte dalë të festonte me shoqet në lokal. I ati dyshonte se vajza e tij kishte të dashur dhe për këtë arsye besohet se ndërmori aktin ekstrem.
Seanca e radhës gjyqësore ndaj Petrit Lekajt është caktuar të zhvillohet më 4 Shkurt.