Në jahtin e gjetur pak ditë më parë 12 milje larg Shëngjinit, Policia Kufitare gjeti disa dokumenta që mbanin emrin e një shtetasi turk, Sevgin Javuz. Ajo hodhi dyshimet se ai mund të ishte pronari i mundshëm, por pa arritur ta konfirmojë dot për shkak se në jaht nuk ndodhej askush.
Për turkun Sevgin Javuz, policia ka nisur kërkimet, në bashkëpunim me homologët e saj në Ankara si dhe me Interpol Tirana.
Por, Top Channel, ka arritur të zbulojë se kush është pronari i jahtit të quajtur Atik Bey, i cili është ankoruar në portin e Shëngjinit.
Ne kontaktuam me kompaninë Tur Marine në Turqi, e cila rezulton se jahtin e ka shitur vitin e shkuar tek një biznesmen turk.
Nga të dhënat e monitorimi të lundrimit të mjeteve, jahti Atik Bey, në datën 30 gusht ka qenë në Budva.
Po në këtë datë, në Budva të Malit të Zi, ka qenë edhe pronari i saj, Nedim Akyuz, i cili ka postuar një foto të tijën në Instagram.
Javën e fundit të gushtit, jahti ‘Atik Bey’, ka qenë duke lundruar në ujërat territoriale të Kroacisë, siç shihet në foton e destinacioneve të regjistruara nga Vessel Finder.
Në datën 24 gusht, Nedim Akyuz, ka hedhur një tjetër foto në Instagram duke lundruar në detin poshtë një ure në Kroaci, e cila quhet ura KRKA.
Një tjetër sistem monitorimi i cili regjistron lundrimet e mjeteve detare, tregon që në datën 3 korrik të këtij vitit, jahti Atik Bey, ka qenë në NAXO të Greqisë. Po në të njëjtin vend dhe në të njëjtën datë, pronari i saj Nedim Akyuz ka hedhur një tjetër foto në rrjetin social instagram.
Vitin e kaluar, kompania që ka shitur Jahtin e llojit kataraman, ka postuar një fotot të tijën, ku është përmendur edhe emrin e jahtit dhe të pronarit të saj.
Më pas, e njëjta kompani ka postuar një video në instagram ku shkruhet emri i jahtit dhe shihet dikush që luan golf mbi të. Sipas kërkimeve, ai rezulton të jetë Nedim Akyuz.
Ky i fundit, nga kërkimet rezulton se është biznesmen në fushën e tekstileve i cili e zhvillon aktivitetin e tij në Turqi.
Ajo çka ende mbetet mister është nëse ka qenë Sevgin Yavuz i cili drejtonte jahtin atë ditë, apo ka qenë dikush tjetër./Top Channel