Kuriozitete Zbulohet krokodili i lashtë që ecte me dy këmbë

Zbulohet krokodili i lashtë që ecte me dy këmbë

Gjurmë të lashta të gjetura mbi një shkëmb në Korenë e Jugut me shumë mundësi i përkisnin një krokodili parahistorik që ecte me dy këmbë, thonë paleontologët. Kjo është hera e parë që një kafshë e tillë zbulohet në familjen e krokodilëve të lashtë, që tipikisht kanë ecur me katër këmbë, sikurse krokodilët dhe aligatorët modernë.

Gjurmët e ruajtura mjaft mirë ishin 18 deri në 24 cm të gjata, çka tregon, sipas përllogaritjeve të studiuesve, që kafsha ishte rreth 3 metra e gjatë.

Krokodili me dy këmbë, i quajtur prej studiuesve Batrakopus, mendohet se ka jetuar 100 milionë vite më parë, gjatë periudhës së hershme kretake. Megjithatë, ka studime që thonë se kjo kafshë mund të ketë qenë e pranishme në Tokë më herët, në fillimet e periudhës së hershme mezozoike, që nisi 250 milionë vite më parë.