Kathleen Ann Kavalec ishte e nominuara e Presidentit Donald Trup për ambasadore të SHBA në Tiranë, por ajo nuk e mori miratimin e Senatit për këtë detyrë.
Top Channel ka arritur të faktojë përmes dokumenteve se gjatë kohës së pritjes nga Kavalec për të marrë dritën jeshile në Senat, Partia Demokratike ishte shumë e interesuar për këtë zhvillim. “Sonoran Policy Group”, kompania e re lobuese e PD-së në Uashington gjatë periudhës 8.05.2018 deri më 7.9.2018 është vënë në kontakte intensive me anëtarët e Senatit Amerikan për procesin e përzgjedhjes nga ata të Kathleen Ann Kavalec si ambasadore në Shqipëri.
Gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu, përmes një kërkimi në seksionin e deklarimeve të kompanive lobuese në Departamentin Amerikan të Drejtësisë, gjeti të gjithë korrespondencën e kompanisë lobuese të PD-së, Sonoran Policy Group, që mban datën 1 Mars 2019. Në këtë dokument është pasqyruar puna lobuese e saj në emër të PD-së përsa i përket të nominuarës për ambasadore në Shqipëri dhe çështjeve që lidhen me sigurinë, narko-trafikun dhe terrorizmin.
Lobisti i kësaj kompanie, Christian Bourge, ka dërguar për llogari të PD-së 6 e-mail, ka kryer 2 telefonata dhe 3 takime me anëtarët e Senatit dhe këshilltarët kryesorë të senatorëve nga Komiteti për Politikën e Jashtme, të cilët kishin mbi tavolina dokumentacionin e kandidaturës së ardhur nga Presidenti Trump për ambasadore në vendin tonë.
Christian Bourge i ka telefonuar analistes Molly Lazio dhe është takuar me senatorin Rob Portman, anëtar i Komitetit për Politikën e Jashtme në Senat të përfshirë direkt në procesin e shqyrtimit të kandidaturës së Kathleen Ann Kavalec.
Top Channel e pyeti PD-në çfarë kishte kërkuar të bënte në emër të saj kompania lobuese në lidhje me të nominuarën për ambasadore. Reagimi zyrtar është ky: “Lobimi i Partisë Demokratike ka patur si qëllim çështjet e narkotrafikut, krimit të organizuar dhe kapjes së shtetit, probleme të cilat ishin ngritur me nota shumë serioze në raportin e Departamentit të Shtetit për Strategjinë e Kontrollit të Narkotrafikut Ndërkombëtar për vitet 2017 dhe 2018. Me senatorët e Komisionit të Jashtëm është diskutuar për ngritjen e këtyre problemeve në seancën dëgjimore me ambasadoren e emëruar dhe nxitjen e saj për të bërë prioritet të punës së saj në Tiranë luftën kundër narkotrafikut, krimit të organizuar dhe korrupsioni”.
“Sonoran Policy Group”, në deklarimin e Departamentit Amerikan të Drejtësisë, në pasqyrën e pagesave për punën e bërë, thotë se nuk marrë asnjë pagesë nga PD për këtë operacion lobimi në Senat.
Emri Kathleen Ann Kavalec, e nominuara e Presidentit Trump për ambasadore në Shqipëri, u rikthye në vëmendjen e medias shqiptare disa ditë më parë, pasi Sarah Carter, gazetare e Fox News, tha se zyrtarja e DASH-it ka komunikuar me ish-agjentin britanik, Christopher Steele, i cili kishte hartuar një dosje me pretendime shkeljesh e komploti ndërmjet fushatës presidenciale të Trumpit dhe Moskës në zgjedhjet e vitit 2016.
Sipas saj, kjo ishte arsyeja përse Senati nuk e shqyrtoi kandidaturën e saj. Kathleen Ann Kavalec është një ndër ekspertet më të mira në Departamentin Amerikan të Shtetit si njohëse e influencës ruse, pasi ka drejtuar në DASH zyrën që mbulonte Rusinë.
Kavalec, që prej 30 vitesh pjesë e diplomacisë amerikane, ka punuar edhe për zëvendëssekretaren e Shtetit, Victoria Nuland, është mbështetëse e ish-Presidentit Barack Obama dhe ish-kandidates demokrate në garën për Shtëpinë e Bardhë, Hillary Clinton, dhe ka bërë për fushatat e secilit prej tyre nga një donacion të vogël prej 250 dollarësh./Top Channel